Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, tha në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura, duke shtuar se kërkohet fleksibilitet dhe kompromise.
“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha ai.
Sipas tij, normalizimi sjell më shumë stabilitet dhe siguri për mbarë rajonin.
Në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë Rutte deklaroi se stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur “diplomacinë në vend të dhunës”.
“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike”, tha shefi i NATO-s.
Gjatë vizitës në Prishtinë, shefi i NATO-s do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.