Sa keq që Tirana s’po e përkrah Bullgarinë, kundër ndikimit serb në Maqedoni

Fejzi HAJDARI

Herë me dorëza (diplomatike), e herë pa dorëza, herë mes rreshtash, e herë në kryerreshta, Bullgaria dalngadalë po e bën të qartë qëllimin për “çlirimin” e Maqedonisë së Veriut nga ndikimi jugosllav, ose serb (si t’i thoni, nuk gaboni). Dikush e ka kuptuar këtë, dikush tek do ta kuptojë. Serbia sot është shumë më e dobët se Bullgaria, si në aspekt ushtarak, poashtu edhe në aspekt ekonomik, por edhe në aspektin e pozitës në skenën ndërkombëtare. Prandaj, në shikim të parë, është për t’u habitur se pse një vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, si Bullgaria, e ka aq vështirë ta flakë ndikimin serb nga një shtet si Maqedoninë e Veriut (RMV), me popullatë shumicë, që të gjitha figurat historike i ka të përbashkëta me histroinë bullgare.

Përparësia e Serbisë në Maqedoninë e Veriut, është “infrastruktura” e fuqishme që e ka të instaluar, si në politikë, poashtu edhe në ekonomi. Është infrastrukturë e cila e “ushqen” vetveten, mund të funksionojë edhe e pavarur, kur Qendra (Beogradi) është e preokupuar me probleme tjera. Ky lloj organizimi i kësaj infrastrukture, krijon imazh të rrejshëm se proserbizmi-jugosllavizmi është ideologji autoktone vendore, e jo e kundërta. Përparësi tjetër e Serbisë, ndoshta më e rëndësishmja, janë resurset njerëzore që i ka trashëguar nga koha e Jugosllavisë, e madje edhe nga koha e mbretërisë serbe. Shumë bashkëpunëtorë janë plakur e pensionuar, shumë edhe kanë vdekur, por vakumin e plotësojnë bijtë e bijat e tyre. Madje iu kanë mbërritur edhe nipat e mbesat. Ata e kanë terrenin e gatshëm të avancohen gjithkund ku kanë qenë baballarët e gjyshërit e tyre.

Kur bëhet fjala për patriotizëm (me fjalë, jo me vepra), ata i ke të parët. Kur bëhet fjalë për ‘multi-kulti’, i gjen edhe aty. Janë infiltruar në të gjitha poret e shoqërisë, sepse terrenin e kanë të gatshëm, rrugën e kanë të hapur, nga shërbimi që i kanë shërbyer paraardhësit e tyre. I gjen në poste drejtorësh, poste zëvdnësdrejtorësh, në poste zëvendësministrash, por edhe në poste ministrore. Nuk bëjnë asgjë, vetëm i qëndrojnë besnik “vijës” së paraardhësve dhe suksesin e kanë të garantuar.

Por, kohërat pak kanë ndryshuar. Pa marrë parasysh këto përparësi që i ka Serbia në Maqedoni, Bullgaria kësaj radhe duket e vendosur. Nuk ka ndërmend të lëshojë pe dhe këtë e bën të ditur haptazi, pa ekuivoke. Historikisht, Serbia nuk ka pasur asnjëherë të bëjë me Maqedoninë (përveç si agresor), prandaj, edhe në kohë moderne, nuk ka se çka kërkon këtu.

Ku jemi ne shqiptarët në krejt këtë storje?

Fatkeqësisht, si shumë herë gjatë historisë – jemi aty ku don të na shohë armiku. Ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, viktimat më të mëdha të pro-serbizmit dhe jugosllavizmit, nuk e kemi dhënë provimin në misionin që na takon, për ç’rrënjosje të ndikimit serb. Madje shpeshherë, jemi arma më e fortë e politikës proserbe, duke i detyruar edhe politikanët neutral maqedonas, të përfundojnë në përqafimin e Beogradit. Aspak më mirë nuk është as Tirana zyrtare? Në vend se të jetë në këto momente krah për krah me Bullgarinë, Tiranën zyrtare, për fat të keq, e gjen krah për krah me Vuçiqin. Jo vetëm krah për krahu, por edhe në frekuenca të përbashkëta për ringjalljen e Jugosllavive të modifikuara, në formë të Mini-shengenave. Në vend të përkrahjes së Korridorit 8, që Shqipërisë i sjell përfitime të mëdha ekonomike dhe gjeo-strategjike, Tirana zyrtare me mish e me shpirt favorizon Korridorin 10 (Beograd-Athinë), që Shqipërinë e len në margjina, kurse Beogradin e favorizon si kryeqendër të Ballkanit Perëndimor. Një dritë që shihet në fund të tunelit, është fitorja e Albin Kurtit në Kosovë, që fuqizon “forcat proshqiptare në politikën shqiptare” (frazë pak e çuditshme në lexim të parë, por nëse analizohet pak më mirë, kuptohet esenca).
Nëse kjo fitore reflekton edhe në viste tjera shqiptare, atëherë nuk ka dyshim se shqiparët do të kapin momentin e volitshëm historik për çlirim përfundimtar nga ndikimi ruso-serb, e që mundëson një perspektivë pozitive.