Festat e fundvitit janë një periudhë ku shumë shqiptarë zgjedhin të udhëtojnë, qoftë për pushime çlodhëse apo për të vizituar familjarët jashtë vendit. Tendencat e udhëtimeve këtë vit duket se janë të ndikuara nga disa faktorë kryesorë si ekonomia, çmimet e biletave dhe preferencat e reja të pushuesve.
Për festat e fundvitit, shqiptarët parapëlqejnë kryesisht destinacione rajonale, falë afërsisë dhe çmimeve të leverdishme. Disa nga më të kërkuarat janë Mali i Zi (Budva, Kotor), Maqedonia e Veriut (Mavrovë), Kosova (Brezovicë, Prevallë) dhe Kroacia (Dubrovnik). Këto destinacione tërheqin për festimet e organizuara, terrenet për ski dhe ofertat me kosto të ulët, duke filluar nga 39 euro për një paketë dyditore.
Ndërkohë, për ata që kërkojnë luks dhe klimë të ngrohtë, Dubai është shfaqur si një destinacion “new entry”, i popullarizuar për festime luksoze.
Paketat për rajonin variojnë nga 55 deri në 160 euro, ndërsa për vendet më të largëta si Dubai, çmimet shkojnë mbi 1000 euro. Ndër faktorët që ndikojnë në zgjedhjet e shqiptarëve janë buxheti, afërsia dhe preferenca për udhëtime me makinë ose avion.
Sipas komunikimeve me agjencitë në kryeqytet, vëmendje të veçantë për rezervime ka pasur Vjena, Kolmari, Praga, Amsterdami, Bukureshti dhe Parisi, e që ndjekin ditën e Krishtlindjes. Çmimet për këto destinacione raportohen në rreth 170 euro mesatarisht për person, dy net.
Ndërsa një udhëtim tjetër i preferuar është Milano-Komo-treni St.Moritz, me trenin Bernina që udhëtohet nga Italia drejt Alpeve të Zvicrës, me kosto rreth 350 euro për person, për 3 net.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj tendence drejt Europës është edhe diversiteti i zgjedhjeve.
Nëse disa shqiptarë zgjedhin qytete të mëdha europiane për të festuar me stil dhe elegancë, të tjerë zgjedhin qytete bregdetare si Barcelonë, Nisë, apo Venecia, ku klima e butë ofron një eksperiencë të veçantë festive.
Në Europën Perëndimore, qytete si Vjena, Praga dhe Parisi spikasin për tregjet tradicionale të Krishtlindjes dhe zbukurimet që krijojnë një atmosferë magjike.
Brenda Shqipërisë, qytetet si Korça dhe Berati po tërheqin gjithnjë e më shumë pushues vendas dhe turistë të huaj. Korça me panairin e saj të fundvitit dhe Berati me bujtinat tradicionale ofrojnë një kombinim unik të kulturës dhe atmosferës festive.
Sa i përket rajonit, faktor kyç, sipas agjencive është afërsia, sidomos për familjet, edhe me fëmijë, që mund të zgjedhin të udhëtojnë me makinën e tyre drejt këtyre vendeve. Infrastruktura e mirë dhe çmimi i leverdishëm e ka vendosur Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me resortet e tyre të skive, në listën kryesore.