Sa shqiptarë duhet të ketë në institucionet e Maqedonisë së Veriut

Në bazë të përditësimit të të dhënave të Ministrisë për Shoqëri Informative dhe Administratë, në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik në institucionet e shtetit, shqiptarët duhet të përfaqësohen në administratë me 30 për qind në përputhje me të dhënat e regjistrimit të realizuar në tetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës më 30 mars, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente dhe jorezidente në Maqedoninë e Veriut është 2.097,319, prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllahë.

Ndërkohë, si popullsi rezidente pa përfshirë këtu qytetarët me shtetësi maqedonase që jetojnë në diasporë, Maqedonia e Veriut ka vetëm 1.836,713 banorë, prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simonovski, tha se tashmë e ka informuar Ministrinë për Shoqëri Informative dhe Administratë, se si kategori relevante për përfaqësimin e bashkësive etnike në institucionet e shtetit mbetet vetëm ajo pjesë e popullsisë që është e regjistruar si rezidente në Maqedoninë e Veriut.