Sa të besueshme janë testet e shpejta? Ja çfarë kanë zbuluar studiuesit

Varianti i ri “Omicron” ka rritur infektimet në Shtetet e Bashkuara dhe kërkesa për teste është e lartë. Administrata e Presidentit Joe Biden ka premtuar së shpejti 500 milionë komplete testesh COVID për familjet amerikane. Por sa të besueshme janë testet e shpejta?

Jordan Erby dhe partnerja e tij Julia Weil vizitojnë shpesh vendet ku mund të testohesh për koronavirusin.

“Ne testohemi në mënyrë që të mund të takojmë miqtë tanë pa u shqetësuar se po përhapim COVID”, thotë për Zërin e Amerikës, Jordan Erby.

Çifti preferon që përgjigjen nëse është apo jo i infektuar me koronavirus ta marrë nga një laborator i specializuar dhe nuk përdor testet e shpejta që mund të bëhen në shtëpi.

Julia Weil thotë se e ka përdorur një herë testin e shpejtë përpara se të vizitonte të afërmit e moshuar, por nuk ishte e sigurt për rezultatet.

Në vitin 2020, studiuesit zbuluan se te njerëzit me simptoma të COVID-it, testet “antigen” apo testet që mund të bëhen në shtëpi ishin më pak të sakta se testet “PCR”, që duan deri në 48 orë për të dhënë një përgjigje.

“Ne krahasuam drejtpërdrejt testin antigen “BionaxNOW” me testin standard “PCR”. Testi me antigen nuk arriti të zbulojë 20% të të gjitha rasteve me COVID-19.”

Ende nuk ka të dhëna përfundimtare se sa mirë funksionojnë testet e shpejta me variantin “Omicron”. Por ekspertët sugjerojnë që njerëzit për të qenë të sigurt duhet të testohen më shpesh.

“Nëse jeni duke u testuar ndërkohë që keni simptoma dhe një ngarkesë të madhe virale në organizëm, ka më shumë gjasa që testet të jenë të sakta në këtë situatë. Në të kundërt ne shpesh rekomandojmë teste të shumta. Pra, jo vetëm një test, por bëni testin tuaj antigen sot. Pas 24 apo 36 orë testohuni sërish”, thotë Dr. Robert Bollinger, Universiteti “Johns Hopkins”.

Dr. Peter Chin-Hong, një profesor i mjekësisë në Kaliforni, thotë rëndësi ka dhe mënyra se si njerëzit i bëjnë këto teste në shtëpi.

“Në varësi të testeve, ju duhet ta rrotulloni tamponin 5 deri në 10 herë në secilën anë të hundës dhe më pas e vendosni në reagent. Dhe më pas masni kohën. Mos e largoni tamponin shpejt sepse mund të dalë gabimisht negative. Po ashtu mos e largoni më vonë sepse mund të ketë kimikate të paqëndrueshme”, thotë ai.

Administrata e Presidentit Joe Biden ka premtuar së shpejti 500 milionë komplete testesh COVID për familjet amerikane dhe autoritetet që po nxitojnë të hapin vende të reja testimi. Por testimi është vetëm një pjesë e përgjigjes së administratës Biden ndaj pandemisë.

“Ne ende paralajmërojmë banorët tanë dhe njerëzit në mbarë botën që të ndjekin hapat për të parandaluar përhapjen e COVID-19, pavarësisht nëse kanë apo jo një test negativ. Duhet ruajtja e distancës fizike, mbajtja e maskës kur jeni brenda me njerëz dhe më e rëndësishmja të vaksinoheni”, thotë Hannah Winant nga departamenti i Komunikimeve për Sigurinë Publike, në Arlington të shtetit Virxhinia./VOA