Sadiku te Las Palmas, sulmuesi kuqezi gjen akordin me klubin spanjoll

Armando Sadiku do të luajë në sezonin e ardhshëm në kategorinë e dytë spanjolle me skuadrën e Las Palmasit.

Sulmuesi kuqezi ishte transferuar në Bolivi, ku luante me ekipin e Bolivarit, por pas 6 muajsh vendosi që të prishte kontratën me klubin amerikano-latin.

Klubi spanjoll lajmëroi se kishte gjetur akordin me lojtarin 30-vjeçar, i cili do të firmosë një kontratë 1 vjeçare.

Por zyrtarizimi do të bëhet ditën e hënë, pasi Sadiku të kalojë testet mjekësore.

Lojtari kuqezi rikthehet kështu në Spanjë. Ai ka luajtur më parë me skuadrat e Levantes dhe të Malagas.

Sezoni 2019-2020 ka qenë më i miri për 30-vjeçarin, i cili realizoi 13 gola dhe dha edhe një asist me ekipin e Malagas.

Sadiku do të synojë kështu që t’u rikthehet golave, për të lënë pas eksperiencën jo shumë pozitive në Amerikën Latine. Ai është shqiptari i parë që do të luajë te Las Palmas.