Ditën e djeshme, Sali Berisha njoftoi zyrtarisht se Florjan Binaj do të jetë kandidati i mbështetur nga Partia Demokratike për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Kreu i PD-së, në një deklaratë për mediat nga selia blu, e cilësoi Binajn si një “artist dhe personalitet që mbron kauzat e qytetarëve”, duke ftuar opozitarët dhe qytetarët të bashkohen rreth kësaj kandidature.
“Ftoj aleatët dhe opozitarët, qytetarët, të mbështesin këtë kandidaturë si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit”, – u shpreh Berisha.
Ndërkohë, ajo që tërhoqi vëmendjen në rrjet ishte reagimi plot humor i këngëtarit Luiz Ejlli, i cili publikoi në Instastory një video teksa dëgjonte fjalimin e Berishës.
Në fund të videos, Luizi shton me humor:
“Ua kishe tha emrin tim, për Zotin!”
Reagimi i tij u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar të qeshura dhe komente të shumta nga ndjekësit, të cilët e njohin këngëtarin për sensin e tij të veçantë të humorit.