Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, thotë se një kompani italiane për shkak të ndërprerjes së kontratës për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup, kërkon dëmshpërblim prej rreth 8 milionë eurosh.
“Kemi një dokument që është pretendim prej tetë milionë eurosh, për të cilin nuk kemi përgjigje nga e njëjta kompani që ka fituar tenderin dhe është anuluar. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje për kërkesën tonë për takim të kushtëzuar për të vërtetuar borxhin, sa është për cilën pjesë dhe pse e kërkon atë shumë”, deklaroi ministri Sali.
Në maj të vitit 2017, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Nikolla Todorov njoftoi se qendrën e re klinike në Shkup në vlerë 72 milionë euro do ta ndërtojnë dy kompanitë më të mëdha ndërtimore vendase “Granit” dhe “Beton”, në bashkëpunim me kompaninë italiane “Inso Systems”. Më vonë kjo marrëveshje u ndërpre nga pasardhësi i tij Venko Filipçe. (INA)