Salianji i PD-së: Nuk tërhiqemi, zgjedhje më 13 tetor, pa Ramën kryeministër

0

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji theksoi sot në një intervistë për RTV Ora, se PD është e gatshme të regjistrohet në zgjedhje, vetëm kur të garantohet një proces i lirë dhe i ndershëm.

Sipas tij, opozita nuk ka kërkuar shtyrje të zgjedhjeve, ndaj këmbëngul se edhe në 13 tetor nuk mund të ketë zgjedhje nëse Rama nuk largohet.

“PD është e gatshme të regjistrohet në çdo moment që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD nuk është tërhequr nga kauza e saj. Ne nuk kemi kërkuar shtyrje të zgjedhjeve. Nuk kemi kërkuar që zgjedhjet të jenë nga 30 qershori në 13 shtator apo 13 tetor. Ne kemi kërkuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri që i garanton këto pa Ramën kryeministër. Kështu që ne nuk kemi si të tërhiqemi pasi i kemi bërë 6 muaj betejë dhe të themi do ketë zgjedhje në 13 tetor me Ramën kryeministër”, theksoi deputeti demokrat. (INA)