Afaristi medvegjas dhe drejtori i organizatës AFEDS, Muharrem Salihu po qëndron për një vizitë në Nju Jork, ku ka zhvilluar takime me personalitete të mirënjohura amerikane dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Salihu ka qenë i pranishëm në mbrëmjen e organizuar nga afaristi dhe botuesi i gazetës Illyria në SHBA, Vehbi Bajrami për të mbështetur organizatën jopërfituese “Renew America Together” që drejtohet nga ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark. Në këtë ngjarje të fondeve, Muharrem Salihu ishte ndër donatorët më të mëdhenj në mbështetje të gjeneralit Clark, përcjell INA.
Salihu theksoi se mbështetja për Clark do të jetë gjithmonë në shenjë mirënjohje për kontributin e tij për shqiptarët dhe Kosovën, por edhe përpjekjet e tij të mëtejme për të ndihmuar çështjen shqiptare.
Në një takim të veçantë mes Salihut dhe Clark është biseduar për shqetësimet e shqiptarëve në komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, diskriminimin e hapur nga pushteti serb përmes planit të pasivizimit të adresa të shqiptarëve. Salihu kërkoi mbështetjen dhe lobimin e gjeneralit Clark në Uashington për të ngritur zërin për këtë shqetësim që po u ndodhë shqiptarëve. Në takim u tha se pasizivimi i këtyre trevave është një skenarë i ngjajshëm sikur në vitin 1999 që Serbia ndërmori veprimet e egra të spastrimit etnik, por që u parandalua nga ndërhyrja e NATO-s.
Salihu është takuar edhe me ish-kongresmenin shqiptaro-amerikan, Joe DioGuardi, ndërsa ish-këshilltari i presidentit Bill Klinton, Cristopher Hayland sonte në Manhattan do të shtroj darkë për të nderë të zotit Salihu, ku do te marrin pjesë personalitete të shumtë. (INA)