Sanremo 2019, një festival special edhe për Ermal Metën

0

Në edicionin e 69-të të Sanremos shpallet fitues Mahmood, një këngëtar milanez me origjinë egjiptiane me këngën “Para”. Kritika dhe publiku vlerësojnë performancën e Ermal Metës dhe fansat i përgatisin një surprizë gjatë Festivalit

Anila Dedaj

Një temë universale, ajo që trajton kënga fituese e Festivalit të Sanremos. Bëhet fjalë për “Paratë”, ajo çka i nxit jo rrallë herë njerëzit të vendosin maska, duke reflektuar një sjellje që nuk është e tyrja, e deri tek ndjesi që nuk u përkasin, siç është dashuria… E solli në këtë edicion të 69-të këngëtari milanez me origjinë egjiptiane, i quajtur Mahmood. Në klasifikimin final, të bërë me dije orët e para të së dielës, këngëtari mundi të renditej para “Ultimo” dhe grupit “Il Volo”, që në 2015-të triumfoi në këtë event muzikor me “Grande amore” (dy artistët në fjalë ishin klasifikuar për finalen, ndërsa gara përfundoi me tre këngëtarë). Pasi u bë publikë klasifikimi i përgjithshëm, publikut i’u kërkua të votonin sërish për një nga artistët më të votuar. U quajt një rikthim si triumfator edhe ai i artistit shqiptar Ermal Meta në këtë Sanremo, jo vetëm për shkak të performancës së “Non mi avete fatto niente”, por edhe për duetin prekës me Simone Cristicchin, që ishte i preferuari i medies dhe publikut.

Dueti prekës me Ermal Metën

“Fuqia e tyre është ajo e të transformuarit këngët në mendime të sinqerta dhe tekstet e tyre janë privilegj për botën e poezisë dhe të njerëzimit”, u prezantuan kështu Ermal Meta dhe Simone Cristicchi në këtë edicion të Festivalit të Sanremos, si një nga duetet më të shumëpritura të këtij eventi. Dueti mes Simone Cristicchit dhe Ermal Metës u konsiderua si më emocionuesi i mbrëmjes së dueteve. “Zëri i Ermal Metës i jep ngjyrë çdo nuance dhe e bën edhe më prekës”, shprehen mediet italiane pas performancës së këngëtarit shqiptar. Duke shtuar se artisti di të zgjedh fjalët e duhura për tema të rëndësishme, fjalë që marrin jetë nga reflektimet e jetës së përditshme e që përbëjnë degët e jetës. I tillë është edhe teksti i kolegut të tij Simone Cristicchit. “Jeta është e vetmja mrekulli të cilës nuk mund t’i besosh, sepse çdo gjë është një mrekulli, çdo gjë që shikon. Dhe nuk ekziston një ditë tjetër që të të udhëzojë në të djeshmen, atëherë ti jetoje si të ishte dje e jepi vlerë çdo minuti të vetëm”, këndon ai në “Abbi cura di me”. Vitin e kaluar kur Emrali ishte në garë, qe Cristicchi që e shoqëroi në duetin me Fabrizio Moron, dhe këtë vit në njëfarë mënyre ai i “kthen nderin”. Interpretimi i tyre ka bërë jo vetëm portalet italiane të shkruajnë, duke vlerësuar emocionet që artistët dhuruan, por edhe fansat e tyre në mediet sociale duke bërë që hashtagu #CristicchiMeta “të çmendë” rrjetin. Ndryshe nga çdo aspektativë e publikut dhe medies nuk ishte ai dueti fitues i mbrëmjes së katërt të Festivalit, çka u shoqërua më vonë me kontestime. Kujtojmë se gjatë pjesëmarrjes si i ftuar special në Festivalin e Këngës vitin që lamë pas Ermali u shpreh se preferon të kalojë kohë përpara se të rikthehet përsëri në Sanremo, duke i lënë vendin artistëve të rinj. Ndërkohë që në 4 mars publiku shqiptar do të ketë mundësi që të dëgjojë “live” Ermal Metën së bashku me grupin e njohur instrumental “GnuQuartet”.

Sanremo 2019,surpriza që fansat i bënë Ermal Metës

Ky edicion i Sanremos ka qenë tepër i veçantë edhe për Ermal Metën. Përpos rikthimit të tij së bashku me Fabrizio Moron për të kënduar në skenën e Ariston “Non mi avete fatto niente”, si dhe duetit me Simone Cristicchin, fansat e tij i përgatitën një surprizë për të cilën ai reagoi në rrjetet sociale. Për emocionet që këngëtari u dhuroi gjatë Festivalit, por edhe gjatë pjesëmarrjes së tij së anëtar jurie tek “Amici”, një turmë e madhe e ka pritur artistin poshtë hotelit ku po qëndronte pas Sanremos të entuziazmuar për takimin me artistin.

Çmimet e tjera të Sanremo 2019

Para se të shpallej fituesi i Festivalit, u bë publike klasifikimi i të gjithë këngëtarëve të tjerë në garë – 24 gjithsej – dhe emrat e artistëve që u vlerësuan me çmime speciale. Çmimi i kritikës “Mia Martini” dhe çmimi “Lucio Dalla” shkuan për këngëtarin Daniele Silvestri me këngën “Argentovivo”. Ndërsa, çmimin “Sergio Endrigo” për interpretimin më të mirë në këtë event e mori “ Simone Cristicchi” me “Abbi cura di me”. Këngëtari interpretoi këngën në duet edhe me Emral Metën, duke e bërë që rrjetet sociale “të çmenden” dhe të bënin emrat e tyre hashtag. Këngëtari u vlerësua gjithashtu edhe me çmimin “Giancarlo Bigazzi” për kompozimin më të mirë. Çmimi “Sergio Bardotti” për poezinë më të mirë iu dha po Daniele Sivestirit. Ndërsa, Ultimo me “I tuoi particolari” ka fituar TIMmusic, një çmim që i jepet këngës më të dëgjuar.

Votat

Mahmood ka fituar Festivalin falë votës së jurisë së ekspertëve, që vlente 20% dhe votës së jurisë së shtypit (që përbën 30% të votimit). Këngëtari më i preferuar përmes televotës (që përfshin 50% të votimit) ishte në fakt Ultimo me 46.5% të votave, pas të cilit vinte grupi “Il Volo” me 39,4 % të votave. Pra, Mahmood do të renditej i fundit nga të tre vetëm nëpërmjet votës së publikut.

Kush është Mahmood, fituesi i Festivalit të Sanremos

Mahmood, në realitet quhet Alessandro Mahmoud, është një 26-vjeçar milanez. Ka lindur në vitin 1992, mamaja e tij është italiane dhe i ati egjiptian. Karriera e tij muzikore ka filluar në vitin 2012, me pjesëmarrjen e tij në edicionin e 6-të të X-Factor italian. Ishte konkurrent në kategorinë ‘Under Uomini’, që atë vit drejtohej nga Simona Ventura, por u eliminua në mbrëmjen e tretë. Pas kësaj eksperiencë në televizion filloi të shkruante dhe të hidhte në tregun muzikor këngët e tij. Në vitin 2015 fitoi konkursin “Area Sanremo”, falë së cilit iu mundësua pjesëmarrja në kategorinë e “Propozimeve të reja” (“Sanremo Giovani”) në Festivalin e Sanremos të vitit 2016, ku u prezantua me këngën “Dimentica”, dhe arriti të renditej i katërti në garë. Në vitin 2017 këngëtari publikoi këngën “Pesos”, por ndërkohë nisi të krijojë paralelisht edhe si autorë për artistë të tjerë. Morri pjesë në kompozimin e këngës “Nero Bali” të këngëtares Elodie me Michele Bravi dhe Guè Pequeno, dhe shkroi “Hola (I Say)” të Marco Mengonit. Ka bashkëpunuar edhe me artistë si Fabri Fibra, me të cilin këndoi këngën “Luna”, autor i të cilit është po ai. Gjatë edicionit të 68-të mori pjesë në “Sanremo Giovani” me këngën “Gioventù bruciata”, që mban të njëjtin titull si disku i tij, duke fituar çmimin e parë, çka i lejoi dhe pjesëmarrjen në këtë Festival të Sanremos. Me fitoren e tij këtë vit në Festivalin e Sanremos, ai u bë automatikisht konkurrenti që do të përfaqësojë Italinë në EuroFestival-in e ardhshëm. Ashtu siç edhe kritika shprehet, është e vështirë të përkufizosh gjininë e muzikës së Mahmood, por stili i tij është më afër botës së muzikës pop se sa asaj të hip-hop, pavarësisht bashkëpunimit të tij me Fabri Fibrën. Në një intervistë të dhënë për “Rolling Stone” ka thënë se artistët që e kanë frymëzuar janë Beyonce, Travis Scott dhe Frank Ocean, por që dëgjon edhe shumë muzikë italiane.

Talentet femërore, si Musine Kokalari

Në kuadër të 102-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, shkrimtares së parë shqiptare dhe veprimtares politike dhe kulturore, “Shekulli” e kujton gruan revolucionare përmes një shkrimi të Nexhat Hakit. Një fragment nga rubrika “Talentet femërore”, botuar në Vatra shqiptare, 1941, nr. 20, me pseudonimin Ndërvala.

Nexhat Haki

[…] Vetëm tri emra femërore shihen më dendur nëpër të përkohshmet: një prozatore dhe dy poetesha: M u s i n e K o k al a r i, K o l o m b i a dhe L u x S e c r e t a. M u s i n e K o k a l a r i ka një talent që meriton të vihet në dukje. Libri “Si ç’më thotë nënua plakë” është dëshmia e prodhimit letrar që ka me të vërtetë një vlerë folkloristike. Themi një vlerë folkloristike, sepse dialekti i Gjirokastrës, me shprehjet e me orthografin karakteristike, shton një material të veçantë për pasurimin e fjalëve që gjer më sot nuk ishin parë të shkruara.

Në këtë vepër M u s i n e K o k o l a r i ka edhe një vleftë artistike të një shkrimtares që fillon të prodhojë, me dashuri e pasion, diçka të mirë e të vlefshme për letrat tona. Me gjithë se shtjellimi i copave të ndara me tituj nuk është edhe aq interesant, sepse mbulohet mê shumë nga dukja e shprehjeve të grave të mëhallës, prapë se prapë i mjafton autores për një studim të nesërme që eventualisht do ta përdorë për vepra të tjera me vleftë letrare: si novela humoristike, komedira e të tjera.

Themi novela humoristike dhe komedira, sepse zakonisht shprehjet dhe zëniet e gravet, sado tragjike të jenë, provokojnë pa dashur një qeshje dhe më vonë një mallëngjim. Aty shohim tipe grash të vendit tonë, të cilat mund të miren e të studiohen veçanërisht për vepra mê me rëndësi artistike. Goldoni, një nga shkrimtarët më të mirë të 700-ës duke vërejtur jetën femërore të Italisë së atëhershme, nxori tipin e gruas M i r a n d o l i n a në komedinë e tij më të bukur “La Locandiera”. Është e natyrshme që gjithë ai material i veprës “Si ç’më thotë nënua plakë” të derdhet nëpër kallëpet e komedisë shqiptare, dhe këtë punë mund ta bëjë vet autorja, sepse e njeh më mirë atë jetë dhe kaprirje për të bërë një vepër me kujdes artistik e letrar. Do t’i sugjeronim autores së ré që të marrë për model edhe shkrimtaren e famshme A d a N e g r i, e cila përmes shkrimeve të saja ka mundur të skalisë tipin e gruas italiane dhe të dhurojë fragmente e novela që kanë me të vërtetë një vlerë të madhe, ka që sa e nderuan për të hyrë në Akademinë e Italisë. Në Shqipëri nuk mund të dalë dot një mashkull për të përshkruar ashtu siç duhet botën tonë femërore: një vajzë do të ishte më e përshtatshme se ndjen më mirë dhe i di të gjitha të fshehtat e zëmrës së vajzës shqiptare që ndjen nevojën të ekspozohet edhe në botën e artit: Autorja e ré duhet të na falë sidomos veprën “Ç’më thotë shoqja ime” dhe këtë punë mund ta kryejë fare mirë sepse nuk i mungon as talenti as dashuria dhe as pasioni për të vazhduar rrugën e letrave.