Sezoni turistik ende s’ka nisur zyrtarisht, por në Sarandë çmimet duket se i kanë paraprirë pushuesve.
Një lëng i zakonshëm frutash prej 0.5 litrash, që në market kushton vetëm 89 lekë, në një lokal pak metra më tutje shitet me 400 lekë, një rritje kjo prej më shumë se 4 herë për të njëjtin produkt.
Fatura tatimore e siguruar nga qytetarët, e blerë në një bar lokal më 22 prill 2025, tregon qartë çmimin e fryrë që e kthen një pije të zakonshme në luks për pushuesit.
Qytetarët shprehen të indinjuar, ndërsa kërkojnë që institucionet përkatëse të ndërhyjnë dhe të monitorojnë praktikat abuzuese që cënojnë jo vetëm buxhetin e konsumatorëve vendas, por edhe imazhin e turizmit shqiptar.