Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela deklaroi se, BDI emëroi ambasador në OKB njeriun që i ka përgjakur shqiptarët.
“Është për turp e faqe të zezë, të emërohet për ambasador dhe të insistohet që me çdo kusht që ambasador në Kombet e Bashkuara të jetë njeriu i cili u refuzua para ca muajsh për të qenë ambasador në Uashington dhe tani propozohet dhe është dekretuar për ambasador në Kombet e Bashkuara. Natyrisht që kjo flet për një element shumë shqetësues që karakterizon shoqerinë dhe shtetin tonë. Klientelizimi është një element devijues i kësaj shoqërie që duhet të luftohet dhe tani nuk po marrim vesh kush është klienti, ministri i punëve të jashtme apo ky zotëria që u emëruar për ambasador në Kombet e Bashkuara. Emri i zotërisë në fjalë për shqiptarët ngjallë emocione jo të mira sepse ka qenë ministër i punëve të brendshme në kohën kur janë përgjakur shqiptarët, në kohën kur shqiptarëve u janë shkelur të drejtat e liritë e individit. Është njeriu i cili do të njihet si ministri i punëve të brendshme që derdhi gjak shqiptari dhe gjujti mbi shqiptarët sepse kërkuan shkollim, arsimim, të drejtën për tu shkolluar dhe arsimuar si të gjithë të tjetër. Një njeri i tillë të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut është më tepër se skandal. Nuk është që dua të merrem me temë, por kjo edhe një herë e heq maskën e BDI-së, e cila nuk lë vend pa përmendur “Levicën”, ndërsa njerëzit që i kanë duart me gjak i emëron ambasador”, u shpreh kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.(INA)