Sela: Duam t’i mbajmë shqiptarët në vendlindje, dhe jo të na ikin

0

Koalicioni “Tash është koha” ka vazhduar fushatën në Kërçovë. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela deklaroi se motivi i tyre politik është t’i mbajnë shqiptarët në vend dhe t’i avancojnë ata në pozitat e merituara shtetërore. Sela tha se më 15 korrik shqiptarët do të sjellin ndryshimin.

“Motivi ynë kryesorë në këto zgjedhje është ta mbajmë shqiptarin këtu. Ta kthejmë shqiptarin që ka ikur sepse sot ky është akti më i lartë patriotik. Jemi të vetëdijshme se asnjë shqiptar nuk do të largohet nga puna, nuk do të ndodhë. Ia kemi dhënë shpresën. Ju do të avancoheni. Ju që keni ngel për bashkëpunëtor të rinj, gjenin e keni për udhëheqës”, tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Ziadin Sela foli për fitoren e bindshme të 15 korrikut duke aluduar në siç tha ai, dështimet e BDI-së.

“Ne nuk kemi qenë shqiptar herë me Lube Boshkovskin e herë me kryeministër shqiptar. Kemi qenë në Hasanbeg me viktima të mbytur nga shtrati i Lumit që edhe sot nuk është ndërtuar. Kemi qenë në Kumanovë tek ata që kanë pritur ditë më të mira. Ne do t’jua garantojmë nënshtetësinë shqiptare. Ne do t’ju japim hisen tuaj që u takon sa u takon punësimeve të shtetit. Ne do të punojmë për njerëzit me nevoja të posaçme të rregulluar me ligj. Nuk i takon Kërçovës së Mefail Zajazit të votojnë komunistët. Ne jemi për të ndërtuar ëndrrën për t’i parë klasat plot” tha Sela.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se koalicioni “Tash është koha” i bashkon shqiptarët. Ai premtoi uljen e papunësisë dhe rritjen e rrogave.

“Po futemi në fundit e kësaj fushate, po i afrohemi një udhëkryqi, duhet ti ftojmë të afërmit tonë që t’a bëjmë kthesën e madhe të 15 korrikut. Ju lutem vëllezër e motra nëse keni gjak shqiptari dilni e na mbështesni”, tha mes tjerash Gashi.