Sela edhe Kasami kërkojnë edhe nga një mandat

0

Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët gati në një periudhë të përafërt do të zhvillojnë kongreset partiake për zgjedhjen e kryesisë së re.

Lëvizja BESA mban kongresin më 24 shkurt, ndërsa përbrenda po  zhvillohet një betejë e heshtur se kush do të marrë timonin partiak.

Burime partiake brenda saj theksojnë për INA se janë disa figura  që synojnë që kandidati i tyre të marrë timonin e kësaj partie, mes tyre shqyrtohet edhe rizgjedhja e liderit të deritanishëm, Bilall Kasamii .

“Ka  kandidatë serioz dhe kjo është për të mire, sepse kemi figura tashmë të proklamuara në politikë. Së shpejti do të bëhen propozimet e kandidatëve dhe në lojë pritet të jenë disa emra”, theksoi për INA një përfaqësues i lartë i kësaj partie.

Në lojë mbetet lideri i deritanishëm Bilall Kasami, i cili edhe përkundër humbjes në zgjedhjet lokale, ai do të thirret në votat e fituara, që në raundin e dytë ishin shumë optimiste. Ai do të nominohet sërish nga dega e Tetovës, por i përkrahur edhe nga degët përreth në Pollog. Në degët e Shkupit, gjegjësisht Çairit, kandidatë serioz janë: Zekirija Ibrahimi, Skender Rexhepi- Zejd por nuk përjashtohet edhe ndonjë figurë tjetër.

Siç mësohet kandidatë më serioz për të marrë drejtimin e kësaj partie janë nga dega e Çairit dhe ajo e Tetovës. Kjo pranohet edhe brenda radhëve të kësaj partie, duke thënë se këto dy degë të fuqishme do të mund të jenë konkurrente të forta se kush do të drejtoj Lëvizjen BESA.

Ndërkohë, edhe Aleanca për Shqiptarët do të zhvillojë kongresin partiak vetëm dy javë pas atij të Lëvizjes BESA. Kuvendi i ASH-së vendosi që Kongresi partiak të mbahet më 11 mars, ku do të bëhet zgjidhja e kryetarit të partisë, nënkryetarit, kryesisë qendrore dhe kuvendarëve.

Në garën për lider partie është Ziadin Sela, i cili do të kandidohet për një mandat të dytë dhe të fundit që e lejon statuti partiak. Por nuk përjashtohet që të kandidojnë edhe emra të tjerë të kësaj partie. Një betejë e fortë do të jetë për ekipin që do përfaqësojë organet më të larta partiake, ku pritet rifreskime, apo nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjes së ekipit të deritanishëm, që shënoi fitore në zgjedhjet e fundit. (INA)