Sela në Reçicë: Për 18 vite ujin e Sharrit e çojnë me kanale në Mavrovë, ndërsa Tetova nuk ka ujë

0

Mungesa e ujit të pijshëm ka qenë dhe është një nga problemet kryesore të qytetarëve të Tetovës me rrethinë. Këtë temë, sot me banorët e Reçicës e diskutoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, bashkë me kandidatët për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore. Sela u premtoi banorëve të kësaj ane se pas katër viteve, nuk do të flitet më për ujin e pijshëm sepse kjo do te jetë realitet.

“Tek e marrin ujin që Zoti na e fal nëpërmjet kësaj bukurie që është Sharri dhe tek e marrin me kanale dhe e çojnë në Mavrovë e Tetovën e lënë pa ujë, paçka se për 18 vite me radhë kanë marrë mandat prej tetovarëve. Thoni atyre se nuk kanë vend më mes jush. Ndërsa ne ju premtojmë se kur do të vijmë pas katër viteve, nuk do të flasim më për ujë, nuk do të flasim për rrugica e për shkollë sepse ato do të jenë realitet”, theksoi mes tjerash para banorëve të Reçicës, bartësi i listës së kandidatëve për deputetë nga Koalicioni “Tash është Koha” në njësinë e gjashtë, Ziadin Sela.

Sela apeloi tek të pranishmit, që të nderojnë pragun e shtëpisë së shqiptarëve, të shkojnë me përulje tek çdo shtëpi shqiptari, pa dallim përkatësie partiake dhe të kërkojnë mbështetje për Koalicionin ASH – AAA, për të mirën e gjithë shqiptarëve.