Një bashkim i mundshëm i Arben Taravarit me Ali Ahmetin për zgjedhjet lokale, mund të çojë në përçajë edhe më të thellë brenda Frontit Europian. Kreu i ASH-së Ziadin Sela i shkoi sot në takim Ahmetit, pavarësisht se para kamerës, Sela tha se është i takim i zakonshëm. Por në këtë mbledhje morën pjesë vetëm kryesitë e dy subjekteve ASH-së dhe BDI-së. Alsat mëson jozyrtarisht se nuk përjashtohet mundësia që nëse Taravari i bashkohet Frontit, Sela ta braktisë këtë koalicion. Megjithatë para takimit të sotëm, Sela tha për Alsat se Fronti është organizëm i gjallë për të gjithë ata që kërkojnë falje, duke aluduar në Taravarin.
“Është një takim i zakonshëm i Frontit, kryesia e ngushtë e Aleancës me kryesinë e ngushtë të BDI-së, do të diskutojmë për situatën politike”, deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.
Nëse i kyçet Frontit Taravari, ju do të vazhdoni të Fronti?
“Ato janë momente të cilat nuk do të diskutohet sot për një çështje të tillë, besoj. Unë e kam thënë edhe më herët se Fronti është një organizëm i gjallë, i hapur, për të gjithë ato të cilët kërkojnë falje publike dhe kanë kuptuar gabimet që i kanë bërë por pa i kuptuar këtë gjë dhe pa u bërë gjëra të tilla, besoj se është e vështirë çfarëdolloj opsioni tjetër”, u përgjigj Sela.
Nëse nuk ndodh kërkesa e faljes publike ndërkohë që pritet kyçja e Taravarit në Front?
“Nuk e di nga i keni marrë këto informata, a do të ketë kyçje apo jo, nuk e di”, tha Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.
Nëse do të ketë?
“Hipotetikisht tani mund të ndodhë që i gjithë faktori politik shqiptar të bëhet bashkë”, u përgjigj Sela.
Pavarësisht nëse do të bëhen bashkë apo jo, Sela e Taravari kanë hendek të gjerë mes tyre, që nga zgjedhjet parlamentare, kur Taravarit iu atribua akuza e ndarjes së partisë dhe e tradhtisë brenda Aleancës për Shqiptarët.
Sela e Travari kanë të hapur edhe kontestin gjyqësor për vulat dhe emrin e partisë, Që të dy pretendojnë se janë në të drejtë, ndërsa këtë duhet ta tregoj Gjykata e Apelit në Gostivar. /Alsat.mk