Sela nga Gostivari godet Zaevin dhe ka një porosi

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot drejtoi kritika të ashpra ndaj politikave të kryeministrit Zoran Zaev.

Ai gjatë qëndrimit të tij në Gostivar ka theksuar se pikërisht Gostivari është qyteti i cili demanton Zaevin i cili premtoi “Një shoqëri për të gjithë” dhe “Jetë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”. Sela me këtë rast tha se kjo nuk vërehet në Gostivar, përkundrazi, Gostivari vazhdon të diskriminohet nga pushteti aktual dhe ballafaqohet me shumë probleme politike.

“Në cilësinë e një kryetari edhe në opozitë, erdha të shoh qytetin e Gostivarit dhe simbolikisht përfaqësuesin e rreth 100 mijë banorëve të cilët janë të përjashtuar nga ai koncepti “Një shoqëri të përbashkët për të gjithë”, dhe në të njëjtën kohë i bëj apel kryeministrit që fjalia “shoqëri e përbashkët për të gjithë” këtu në Gostivar nuk vlen, sepse janë 100 mijë banorë të cilët i kanë lanë jashtë këtij koncepti duke vazhduar që të çojnë inate politike bashke me partnerin e tij BDI-në dhe duke lënë komunën e Gostivarit pa buxhet dhe pa perspektivë”, deklaroi kryetari i ASH-së Ziadin Sela.

Ai apeloi deri tek këshilltarët e BDI-së dhe LSDM-së që të tejkalojnë vetveten, t’i lënë anësh inatet politike dhe t’i venë interesat e qytetarëve para atyre partiake.