Sela: Test për alkool dhe drogë në Kuvend, në çdo tre muaj!

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), njëherësh deputet i kësaj partie, Ziadin Sela, kërkon që deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, t’i nënshtrohen testit për alkool dhe drogë, në çdo tre muaj, shkruan gazeta LAJM.

Ai, këtë ide e ka hedhur pas deklaratës së deputetit të Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili duke komentuar incidentin që ndodhi ditë më parë, ka thënë se në Kuvend po qarkullon shumë alkool dhe kjo ndër të tjera ka ndikim në atmosferën dhe sjelljen e përgjithshme të disa deputetëve.

“Më duket se ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë opinioni t’i shoh kush janë pijanecët, por edhe narkomanët e vërtetë. Jo vetëm test për alkool, unë do të kisha propozuar që në të njejtën kohë, në çdo tre muaj, duke nisur që nesër të bëhet edhe test për drogë të çdo deputeti. Deputetët janë përfaqësues të popullit dhe si të tillë duhet të jenë të pastër nga substancat të cilat ndikojnë në gjykimin e arsyeshëm të deputetëve. Ndoshta është hera e parë që jam dakord me zotërinë në fjalë për një çështje që e ka shtruar. Po, le të ketë test për alkool në parlament, por edhe test për drogë në çdo tre muaj”, tha Sela për gazetën LAJM.