Semimatura e një nxënësi në Maqedoni kushton 500 euro

0

Muaji maj dhe qershor janë muajt me shpenzime më të larta për familjet që kanë semimaturantë dhe maturantë. Madje, vitet e fundit shpenzimet e tyre janë të përafërta me ato të dasmave dhe arrin mbi 500 euro.

Disa prej nxënësve të anketuar thanë se nuk duhet kursyer për këtë natë, ndërsa shumë të tjerë bashkë me prindërit e tyre janë të mendimit se duhet bërë përgatitje modeste dhe jo shpenzime të kota.

Psikologu Musa Musai e cilëson si shqetësues dukurinë e shpenzimeve marramendëse për mbrëmjen e maturës dhe thotë se është jashtë çdo norme pedagogjike dhe psikologjike, shkruan Alsat.

“Për mendimin tim është një kiç sa i përket mënyrës se si realizohet, veçanërisht tek popullata jonë. Nëse është qëllimi i shfaqjes atëherë ne mund tu organizojmë një shfaqje mbarë-popullore të ndryshme por jo me kaq kosto të lartë, jo me kaq investim të madh për të shënuar vetëm faktin se ka kryer nëntë vjeçare fëmija im, për mendimin tim është tejet e skajshme, është jashtë çdo një norme pedagogjike dhe psikologjike si e tillë”.- tha Musa Musai, sociolog

Nga të anketuarit kuptuam se shpenzimet e veshmbathjes për këtë mbrëmje kapin shumën deri në 500 euro. Përafërsisht, darka e maturës bashkë me muzikë kushton rreth 1200 denarë, veshja për vajza ose djem lëviz prej 5 mijë deri 9 mijë denarë, këpucët për dy gjinitë prej 1200 deri 3000 mijë denarë, rregullimi i flokëve dhe grimi për vajza prej 1500 deri 2500 denarë, dhurata për partnerin e mbrëmjes rreth 1000 denarë, si dhe shumë e shumë shpenzime të tjera për organizimin e festës familjare.