Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku ditëve të fundit është refuzuar nga autoritetet serbe për të zhvilluar një vizitë në Luginën e Preshevës.
Lajmin për ndalesën e ka bërë të ditur kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka nënvizuar se ky akt është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe dalja në sipërfaqe e një regjimi autoritar.
“Serbia sërish ndalon Ministrin e Kosovës–diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon! Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, ka reaguar Ardita Sinani përmes një porosie në rrjetet sociale.
Me një reagim të ashpër ka dal edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Pengimi i vizitës së Ministrit Hajrulla Çeku në Preshevë nga autoritetet serbe, përpjekje e radhës për të izoluar shqiptarët e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës. Kur edhe shkëmbimi kulturor i pengon dëshmia më e mirë e karakterit autoritar, diskriminues e antishqiptarë i pushtetit të Vuçiqit. Tentativat me na izolu dhe pengesat artificiale nuk mund ta zhbëjnë lidhjen tonë historike, kulturore dhe njerëzore me Kosovën”, nënvizoi Kamberi.
Kjo është hera e dytë që ministri Çeku po refuzohet për të vizituar Luginën e Preshevës. (INA)