Serbia pse frikësohet nga Liga Shqiptaro – Amerikane?

0

Nga Leonora Laçi/

“GRENELL PUNON PËR SERBINË, TRUMP SHKARKOJE” Ky është tituli i artikullit të gazetës serbe Informer të dates 26 Maj, 2020, gazetë pro-qeveritare e cila botohet në Beograd në rreth 100,000 kopje. Më poshtë po sjellim të përkthyer pjesë nga ky artikull i cili vazhdon: “ Shqiptarët në panik, po mundohen ta ndryshojnë politikën e Washingtonit. Grupi i 165 lobistëve shqiptarë, me influencë të madhe në SHBA i kanë dërguar letër Presidentit Donald Trump me të cilën kërkojnë shkarkimin urgjent të Richard Grenell, i dërguar special për bisedimet Beograd-Prishtinë.

Lobistët shqiptarë e kërkojnë “kokën” e Grenell sepse, siç thojnë ata, ai haptas punon në interes të Serbisë dhe kundër interesave të shtetit “të rrejshëm” të Kosovës. Diasporës shqiptare, e cila është shumë e pasur dhe me influence të madhe në qarqet lobiste në SHBA i pengon shumë se në detyrë të ndërmjetësuesit për dialog ka ardhur dikush që ka mirëkuptim për interesat dhe pozitat serbe.

Letra i është dërguar Shtëpisë së Bardhë me 21 Maj dhe është nënshkruar nga 165 lobistë. Në te ndër të tjera thuhet:“I dërguari special për dialog Serbi-Kosovë Richard Grenell i ka dhënë përkrahje ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, gjë e cila e favorizon Serbinë dhe Rusinë. Ish kongresisti Joseph DioGuardi i cili me vite të tëra merret me situatën politike në Ballkan e kundërshton këtë gjë dhe kërkon nga qeveria Amerikane që Richard Grenell të lirohet nga kjo detyrë dhe të zëvëndësohet me dikend tjetër i cili është i paanshëm. Ne e përkrahim fuqishëm Joseph DioGuardin dhe mendojmë se kjo gjë do të ishte shumë e vlefshme për bisedimet paqësore në regjion”.

Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare Vatra, e krijuar qysh në vitin 1912 në Bronx. Është indikativ fakti se në këtë distrikt, politikan kryesor është lobisti i rëndësishëm shqiptar, kongresisti Eliot Engel, përkrahës i flakët i pavarësisë së Kosovës.

Në letrën drejtuar Trump-it, lobistët shqiptarë e mashtrojnë atë se shtetin e rrejshëm të Kosovës e njohin 116 shtete të botës kur dihet se 18 prej tyre e kanë tërhjekë njohjen, pra janë më pak se gjysma e anëtarve të OKB-së. Në fund të letrës së botuar në gazetën Illyria, thuhet se “çfarëdo korigjimi i kufijve mund të shkaktojë luftë të re në Ballkan”

I pyetur për koment, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç thotë se shqiptarët gënjejnë, i tërë koncepti i tyre është i rrejshëm, siç është i rrejshëm edhe shteti i Kosovës. Diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç thekson se pozita serbe është më e fortë në bisedime, se konfirmimi që Grenell mbetet në funksion të ndërmjetësuesit deri në fund të mandatit të kësaj Administrate, tregon se nuk ka ndryshime në politikën amerikane. Ndërsa Vladimir Marinkoviç, nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, konstaton se Administrata Trump nuk i trajton shqiptarët njisoj si ato të mëparmet. Meritat kryesore për këtë i takojnë Vuçiqit i cili ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Administratën Trump”. Shkruar nga M.Dakiç

Ajo çfarë vëmë re nga ky artikull është se Serbia ende e ka në qendër të vëmendjes Kosovën dhe gjithçka ndodh aty qoftë në politikën e jashtëm apo të brendshme të saj dhe përpiqet me forcë t’i minimizoi njohjet që i janë bërë Kosovës më qëllim të shkatërrimit të saj.

Liga shqiparo-amerikanë ka lobuar vazhdimisht në dobi të çështjes shqiptare sa herë e ka dashur nevoja. Aktualisht problemi më i madh i Kosovës është përpjekjet e Serbisë për ta shfrytëzuar krizën politike madje dhe të influencoi që pushtetin ta ketë në dorë një forcë politike apo figura politike që Serbia të mund t’i manipuloi lehtësisht.

Serbia i frikësohet shqiptaro-amerikanëve dhe zërit të tyre, i frikësohet lobimit të drejtë që ato po bëjnë në Administratën e Trumpit dhe në Kongresin Amerikan.

Nuk mund të harrohet kurrsesi sesi krimineli Millosheviq, në Hagë u patë shprehur me dëshpërim se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Dhe sot puna e Ligës shqiptaro-amerikan nuk ka ndryshuar, më në krye ish kongresistin Joseph DioGuardin dhe krahun e djathtë të tij, znj.Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltaren për çështjet ballkanike.

Indikator i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Ligës dhe jetëgjatësinë e saj është roli i Anetarëve te Bordit të saj, biznesmenëve, miqëve e prkrahëseve shqiptarë apo të huaj, duke i dhënë krah dhe mbështetje kauzës së DioGuardit për të levizur mekanizmat e nevojshëm të politikës së jashtme amerikane në dobi të kauzës shqiptare, ku dha rezultatet e pamohueshme siç ishte liria dhe pavarësia e Kosovës, demokratizimin e Shqipërise, dhe përpjekjet për sigurimin e të drejtave të plota për shqiptarët në Kosovwn Lindore, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri!

Po veçoj punën e veprimtarit z.Agim Aliçkaj ku siç shkruan gazeta serbe: “Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare Vatra, e krijuar qysh në vitin 1912 në Bronx.” Z.Aliçkaj ka qënë mjaft aktiv me shkrimet e tij të botuar në shtypin shqiptar në Amerikë, Shqipëri e Kosovë. Artikuj që janë pritur mjaft mirë nga atdhetarët shqiptarë. Artikuj e tij të fundit janë: “Pavarësia e Kosovës dhe përkrahja amerikane.” “Kosova sot dhe ulja në bisedime me armikun.” “Letër e hapur Presidentit Trump -(Mos) respektimi i vlerave demokratike në Kosovë nga Ambasadori Richard Grenell” “Presidenti Hashim Thaçi e keqja më e madhe e Kosovës në 20 vitet e fundit”, “Marrëveshja Thaçi- Vuçiç- Grenell humbje e lirisë së Kosovës”dhe “Kosova e ka zgjedhur rrugën e vet evropiane pro-amerikane”.

Këto artikuj kanë në qendër të tyre zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare, dhe vë në dukje se duhet vepruar sa më parë për të mos e humbur Kosovën shtet. Asnjëherë nuk ka mbështetur politikanë të cilët e kanë shitur Kosovën për interesa personale, Kosova duhet të qëndroi mbi gjithçka. Krijimi i qeverisë së shpresës dhe antikorrupsionit Kurti-Osmani, ka qenë hapi i parë që duhej bërë dhe çdo vonesë ishte në dëm të shqiptarëve e në favor të serbve. Në letrën e hapur që i dërgon Presidentit Trump ai ngre disa pyetje mjaft të rëndësishme, citoj: “-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe të dyshuar si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë e deri me sot?! Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?! Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.” Z.Aliçkaj mesa shohim nuk ndalet duke kritikuar politikat e këqija në Kosovë, duke mbështetur kauzat që duhen mbështetur e duke e mprehur penen sa herë që në Kosovë gjërat nuk shkojnë si duhet. Teksa lexoj artikujt e tij më vjen ndërmend shprehja e ish Presidentit Bill Klinton në Kosovë, në vitin 1999: “Ne ju ndihmuam ta fitoni luftën, tani ju fitojeni paqen.” Sa e vështirë qënka ta ruash paqen.

Duhet theksuar se meritë të veçantë në ngritjen e zërit në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës kanë edhe 165 aktivistët e mirënjohur shqiptarë, të cilët citohen në artikullin serb, që e dërguan letrën e tyre Presidenitit, Senatit dhe Kongresit Amerikan. Letra e tyre me të gjithë emrat e të nënshkruarve është botuar në gazetën Illyria dhe shumë gazeta dhe portale të tjera.

Serbia i frikësohet të vërtetës, luftës së drejtë të shqiptarve, i frikësohet fakteve dhe historisë që është në favor të shqiptarve. Serbët nuk janë viktima dhe sado të lobojnë pranë Administratës së Trumpit, ata e kanë të humbur këtë luftë, ata nuk do ta kenë kurrë Kosovën. Politikanët shkojnë dhe vijnë, por çështjet e drejta janë gjithmonë aty bashkë me zgjidhjen e duhur.