Sërish rriten çmimi i naftës, ankohen qytetarët

Pas një kohe të gjatë, nafta gati se po arrin çmimin 1 euro në litër. Për momentin shitet 59,5 denarë, që për më pak se një muaj është shtrenjtuar thuajse 5 denarë.

E ky shtrenjtim po ndikon drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve. Më shumë po e ndjen sektori i biznesit, thonë nga Oda Ekonomike Veri-Perëndimore. Nënkryetari i OEMVP-së, Nazmi Ejupi thotë se rritja e çmimit të naftës i detyron prodhuesit që të rrisin çmimet.

“Nuk ka dyshim që rritja e çmimit të naftës në këtë periudhë kaq të shkurt brenda dy-tre javësh dhe asaj që sot u rrit ndikon drejtpërdrejt në biznesin e të gjithë afaristëve për arsye se në një periudhë kaq të shkurtër, 10 deri 15 përqind e rrit koston e prodhimeve dhe  njëkohësisht rritet transporti, sigurisht që edhe transportuesit do të mendojnë për rritjen e çmimeve dhe në këtë mënyrë, reflekton drejtpërsëdrejti në biznes te prodhuesit, te tregtarët dhe te gjithsecili, ndoshta edhe mund të pritet rritje të çmimeve edhe të prodhimeve”, tha Nazmi Ejupi, nënkryetar i OEMVP.

Afaristi Nevzat Aliji, kompania e të cilit bën organizimin e transportit të mallrave, vlerëson se rritja e çmimit të naftës ka ndikuar negativisht në punën e transportit. Nëse vazhdon të rritet nafta atëherë do të rriten edhe çmimet e transportit dhe kjo do të sjellë rrezik që mund të sjellë deri në pasoja të inflacionit.

“Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar negativisht tek ne, kjo çon në rritjen edhe të produkteve që i bartim ne me mjetet transportuese që i kemi”, u shpreh Nevzat Aliji, afarist.

Nga ana tjetër, ministri i financave, Dragan Tevdovski i cili në ditët e para të këtij viti, pasi që u rrit nafta për 3,5 denarë, tha se me rritjen e këtij çmimi, nuk pret rritje edhe të çmimeve të prodhimeve.

“Ministria e financave veç më ka deklaruar se pritjet për lëvizje të inflacionit janë 1,7 përqind dhe në to është vendosur edhe rritja e akcizës. Absolutisht nuk presim që kjo të shkaktojë lëvizje të çmimeve që do të jenë më të larta se sa parashikimet tona”, tha Tevdovski.

Që nga formimi i qeverisë së re çmimi i naftës është rritur për 26,5 përqind apo 12,5 denarë. Në qershor vitin e kaluar qytetarët diselin e kanë paguar 47 denarë, ndërsa nga dje në mesnatë do ta paguajnë 59,5 denarë.