Setien: Kam bindjen që Manaj mund të na ndihmojë

0

Në vigjilje të ndeshjes me Getafen në “Camp Nou”, trajneri i Barcelonës, Quique Setien ka grumbulluar edhe Rey Manajn, për shkak të mungesave të rëndësishme në sulm (Suarez dhe Dembele mungojnë për një kohë të gjatë). Tekniku i “blaugranave”, në konferencën për shtyp të rastit, u shpreh plot bindje që 22-vjeçari shqiptar mund t’i japë një dorë skuadrës.

“Është një futbollist që mund të na ndihmojë. U ka ndodhur diçka futbollistëve të tjerë dhe tani kemi një zëvendësues. Kemi bindjen se mund të na ndihmojë. Është tek ne prej pak kohësh dhe duhet të përshtatet, por ai është i gatshëm. E kemi grumbulluar sepse mendojmë se në rast nevojë mund të kontribuojë.”

Barcelona është në pritje të përgjigjes së Federatës Spanjolle të Futbollit nëse mund të bëjë blerje. Për këtë arsye, kampionëve të Spanjës u është dashur ta gjejnë në shtëpi zëvendësuesin e Suarezit apo të Dembelesë. Manaj mund të debutojë me skuadrën e parë të Barcelonës, përkrah Messit, çka do të ishte diçka e jashtëzakonshme në karrierën e tij.