Përgatitjet për dasma e ahengje të tjera tashmë kanë filluar.
Këtë po e hetojnë edhe bizneset që merren me stoli ari, fustane solemne e gjëra të tjera që nevojiten për këto evente, pasi është rritur numrit i të interesuarve nëpër dyqanet e tyre.
Artarët thonë se për dallim prej periudhës para krizave, tani blihen vetëm gjërat më bazike, për ta mbajtur gjallë traditën pa rënduar shumë buxhetin familjar.
Kryetari i Argjendarëve pranë Odës së Zejtarëve, Nexhmedin Bushi, thotë se ikja e rinisë jashtë vendit lë gjurmë të dukshme në biznesin e tyre. Ndërsa shitësit e stolive për nusëri thonë se ka filluar rimëkëmbja pas pandemisë, por akoma nuk janë arritur nivelet e shitjes krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19.
Edhe shitësit e fustaneve thonë se shitjet po bien ndër vite. Ata janë gati për sezonin e dasmave dhe thonë se tashmë kanë filluar lëvizjet e blerësve.
Sipas disa llogaritjeve jozyrtare, në Maqedoninë e Veriut shpenzohen qindra milionë euro për dasma dhe ahengje të tjera për çdo vit. /Alsat.mk