Kombëtarja shqiptare do të nisë nga “Wembly” mbrëmjen e së premtes aventurën e saj për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, në një ndeshje e cila pritet të ketë mjaft ritëm dhe presing nga ana e vendasve, të cilët po ashtu këkojnë tre pikët për ta nisur me këmbën e duhur.
Trajneri i kombëtares shqiptare Silvinjo ka dhënë detaje për gazetarët para sfidës së nesërme.
“Kemi pasur disa probleme me Ismajlin dhe Kumbullën gjatë javës. Pasditen e sotme do të kemi stërvitjen e fundit që do të vlerësojmë lojtarët. Kemi edhe opsione të tjera si Ajeti dhe Mihaj dhe do marrim një vendim. Do të jetë e vështirë, por dhe e këndshme. E vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur. E kemi diskutuar dhe mes trajnerësh në FIFA, sa e vështirë është. Mos harrojmë që kemi ndeshje dhe ndaj Andorrës. Do jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë. Kemi përdorur video, diskutime me lojtarët, ato vijnë të lodhur duke qenë se kanë sezone të gjata. Nesër do vendosim për titullarët”, tha Silvinjo.