Sfida në gjykatën e Uashingtonit ndaj dominimit të kompanisë Google në internet

Picture of INA
INA

12/09/2023

Qeveria amerikane është përqendruar tashmë tek perandoria e pamposhtur në internet e kompanisë Google, e cila është shndërruar në portalin kryesor të aktiviteteve në rrjet.

Përpjekjet për ndërhyrje në rrugë ligjore do të shpalosen të plota të martën në gjykatën federale të Uashingtonit, e cila do të shndërrohet në një fushëbetejë, ku do të zhvillohet gjyqi më i madh anti-monopol, që nga periudha kur agjencitë rregullatore u përballën me kompaninë Microsoft për shkak të dominimit të saj në programet e kompjuterave personalë gati një çerek shekulli më parë.

Procesi gjyqësor, që pritet të zgjasë 10 javë nën drejtimin e Gjykatësit Amit Mehta, pritet të përmbajë dëshmitë e drejtuesve më të lartë të Google-it dhe kompanisë së saj mëmë Alphabet, si dhe të kompanive të tjera të fuqishme të fushës së teknologjisë. Ndër dëshmitarët kryesorë do të jetë ndoshta edhe drejtori ekzekutiv i kompanisë Alphabet, Sundar Pichai, i cili mori stafetën në vitin 2019 nga bashkëthemeluesi i Google-it, Larry Page. Nga dokumentacioni i gjykatësit duket se mund të thirret të dëshmojë edhe Eddy Cue, një ndër drejtuesit më të lartë të kompanisë Apple.
close
volume_off

Padia ndaj kompanisë Google i ngjason asaj të ngritur ndaj kompanisë Microsoft në shumë mënyra, dhe përbën një rrezik ekzistencial për këtë kompani gjigande të teknologjisë, tek produktet e së cilës mbështeten miliarda persona në mbarë botën.

Faza e parë e procesit gjyqësor pritet të zgjasë deri në fund të nëntorit. Në vazhdim pritet të bëhen paraqitje dokumentacioni dhe argumentesh. Gjykatësi Mehta nuk pritet të japë një vendim deri në fillim të vitit tjetër. Nëse ai vendos se kompania Google ka shkelur ligjin, kjo do të kërkojë ngritjen e një procesi tjetër gjyqësor për të përcaktuar masat që duhet të merren ndaj kompanisë me seli në Mountain View, të Kalifornisë.

Produktet e Google-it, si programi i lundrimit në internet Chrome, ai i postës elektronike Gmail, dhe ai i videove YouTube, apo programi i hartave të lundrimit Google Maps, janë tepër popullore. Megjithatë, asnjë prej këtyre nuk është bërë aq i pazëvendësueshëm sa programi për kërkimin në internet, Google Search, i shpikur nga zoti Page dhe një student pasuniversitar në Universitetin Stanford, Sergey Brin, gjatë fundit të viteve 1990.

Gjyqi fillon vetëm pak javë pas 25-vjetorit të investimit të parë të bërë tek kjo kompani – një çek prej 100 mijë dollarësh të dhënë nga bashkëthemeluesi i kompanisë Sun Microsystems, Andy Bechtolsheim, që i mundësoi zotit Page dhe zotit Brin të fillonin aktivitetin nga një garazh në Silicon Valley.

Sot, kompania mëmë e Google-it, Alphabet Inc., ka një vlerë prej 1.7 trilionë dollarësh dhe punëson 182 mijë persona. Pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga shitja e reklamava, 22 miliardë dollarë, nëpërmjet një rrjeti shërbimesh digjitale në epiqendër të së cilit gjendet programi ku bëhen çdo ditë miliarda kërkime në internet.

Kompania Google mund të dëmtohet nëse gjyqi anti-monopol përfundon me koncesione që do të kufizonin fuqinë e saj. Një mundësi do të ishte që kompania të detyrohej të ndalte pagesat që bën për kompaninë Apple dhe kompani të tjera, për ta mbajtur Google-in si motorin kryesor të kërkimeve në celularë apo kompjutera.

Beteja gjyqësore mund edhe ta shtrëngojë kompaninë Google që të humbasë përqëndrimin tek përparësitë e saj. Kjo i ndodhi pikërisht kompanisë Microsoft, e cila pas betejës anti-monopol me Departamentin e Drejtësisë, hasi në vështirësi për t’iu përshtatur ndikimit të procesit të kërkimit në internet dhe të celularëve inteligjentë. Google përfitoi nga ky shpërqendrim dhe siguroi avantazhin si forca kryesore në këtë drejtim.

Gati tre vite pas fillimit të padisë nën drejtimin e administratës së ish-Presidentit Trump, juristët e Departamentit të Drejtësisë do të përpiqen të provojnë se Google ka abuzuar me fuqinë e programit të saj kërkimor, për të mbytur konkurrencën në mënyra që dekurajuan novacionin. Kritikët thonë se ka rënë edhe cilësia e rezultateve që dalin nga programi për kërkimet, pasi Google e shfrytëzoi atë për të shitur reklama dhe për të promovuar produktet e veta, si p.sh. vlerësimet që bëhen nëpërmjet Google-it për restorantet, përkundër atyre që bëhen nëpërmjet shërbimit Yelp.

Prokurorëve nga dhjetëra shtete, të udhëhequr nga prokurorët e Kolorados, që janë përfshirë në këtë betejë do t’u jepet shansi të provojnë se Google u shndërrua në një monopol të paligjshëm që po dëmton konsumatorët.

Thelbi i argumentave të Departamentit të Drejtësisë do të jetë pretendimi se programi kërkimor Google Search është shndërruar në ajrin digjital që marrin në mushkëritë e tyre pothuajse të gjithë konsumatorët, dhe i cili duhet pastruar pasi taktikat e kompanisë kanë ndotur atmosferën.

Një ekip i madh ligjor i kompanisë Google pritet t’i kundërvihet kësaj me argumentet se kompania nuk ka reshtur kurrë së përmirësuari programin e saj për kërkimet, duke vënë kështu në jetë misionin e saj fillestar për të organizuar informacionin botëror dhe për ta bërë atë të disponueshëm për çdo person në mbarë globin që ka qasje në internet. Nga pikëpamja e Google-it, përmirësimet e vazhdueshme shpjegojnë arsyen përse njerëzit përzgjedhin instinktivisht programin e saj kërkimor, një tendencë që prej kohësh e ka bërë fjalën “Google” pothuajse në sinonim të kërkimit në internet.

Megjithëse zotëron gati 90% të tregut të kërkimeve në internet, Google thotë se përballet me një konkurrencë të gjerë, duke filluar që nga programet e tjera kërkimore, si programi Bing i kompanisë Microsoft, apo DuckDuckGo, dhe deri nga faqet në internet si Amazon apo Yelp, ku përdoruesit mund të hulumtojnë për prodhimet ushqimore apo restorantet.

Departamenti i Drejtësisë thotë se është i pabazë pretendimi i Google-it se dominon tregun duke mundësuar programin më të mirë kërkimor. Ata thonë se Google e mbron biznesin e tij nëpërmjet një forme pagesash, duke dhënë çdo vit miliarda dollarë që të mbetet programi kryesor kërkimor në telefonat iPhone dhe në programe interneti si Safari i kompanisë Apple, apo Firefox i kompanisë Mozillas.

Agjencitë rregullatore thonë se kompania Google ka manipuluar tregun në mënyrë të paligjshme, duke e bërë të detyrueshme që programi i saj kërkimor të bëhet pjesë e programit Android për telefonat inteligjentë.

Kompania Google këmbëngul se konsumatorët mund të ndryshojnë me lehtësi parametrat e pajisjeve të tyre që të përdorin një tjetër program kërkimor.

Kompania gjithashtu thotë se tashmë po përballet me konkurrencën nga teknologjia e re: si kompania Microsoft p.sh. që po punon për inteligjencën artificiale me kompaninë partnere Open AI për programin kërkimor Bing. Kjo e shtyu në muajin shkurt kompaninë Google që të fillonte pajisjen e programit të saj kërkimor edhe rezultate të prodhuara nga inteligjenca artificiale – që kompania thotë se është një tregues se konkurrenca vazhdon të lulëzojë./VOA

TË FUNDIT
2 ditë
Facebooku e Instagrami ia heqin kufizimet Donald Trumpit
4 ditë
“Nuk kanë turp!" Trump për Zuckerberg: Nëse bëhem president, do ta dërgoj në burg për një kohë të gjatë
5 ditë
“ChatGPT” vjen në një pjesë të automjeteve të gjigantit gjerman
5 ditë
Paralajmërojnë ekspertët: Rritja e temperaturave mund të ndikojë në Wi-Fi-në tuaj
5 ditë
Whatsappi do t’ua mundësojë të flisni me njerëz në gjuhë të huaja

ME TE LEXUARA

No data was found

LEXO MË SHUMË

auto_donald-trump-oval-office1550229304

Facebooku e Instagrami ia heqin kufizimet Donald Trumpit

auto_donald-trump-oval-office1550229304

“Nuk kanë turp!” Trump për Zuckerberg: Nëse bëhem president, do ta dërgoj në burg për një kohë të gjatë

chat-gpt

“ChatGPT” vjen në një pjesë të automjeteve të gjigantit gjerman

wi-fi ruter

Paralajmërojnë ekspertët: Rritja e temperaturave mund të ndikojë në Wi-Fi-në tuaj

whatsapp-1100x620-1-600x360-1

Whatsappi do t’ua mundësojë të flisni me njerëz në gjuhë të huaja

tik tok

A do të ndalohet përfundimisht përdorimi i TikTok-ut në Kosovë?

meta-logo-1

Brazili kërkon nga Meta të pushojë së shfrytëzuari të dhënat e përdoruesve për të trajnuar modelet e tij gjeneruese të AI

Apple-1

Apple miraton Epic Game Store për BE-në

Apple-1

Komisioni Europian akuzon Apple se ka shkelur rregullat teknologjike të unionit

INFO

NA NDIQ