Shaip Kamberi: Kosova bëri mirë që nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe e konsideron të drejtë.

Thotë se Serbia është fajtore për mosgjetje të zgjidhjes dhe refuzim të marrëveshjes, megjithë përpjekjet e Kosovës.

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se Kosova veproi drejt dhe në interes të vendit kur vendosi për moslejminin e zgjedhjeve serbe.

“Besoj së paku se Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar mirë gjendjen dhe ka marr një vendim në interes të Republikës së Kosovës. Natyrisht, unë atë që e dëgjova në opinion se kryeministri Kurti ka bërë përpjekje për të pasur një marrëveshje, por është ana tjetër që ka refuzuar atë marrëveshje andaj nëse ka ekzistuar një tentativë dhe përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë dhe Serbia nuk ka dashur që të jetë partner për të cilën mund të bisedohet për të gjetur një zgjidhje”, tha ai.

Vendimi për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, nuk u mirëprit nga përfaqësuesit serbë, madje paralajmëruan protesta e dalje nga institucionet e Kosovës.

Por, Shaip Kamberi thotë se mund të jetë problemi më i vogël për Serbinë, pasi që sipas tij e presin sfida edhe më të rënda.

E kjo do të ndodhë për shkak të qëndrimit ndaj sulmit rus në Ukrainë.

“Prandaj edhe kjo mbajtje e zgjedhjeve në Kosovë mendoj do të jetë problemi më i vogël politikë për Serbinë për shkak se e presin sfida të shumë të rënda të definimit strategjik të politikës së saj të jashtme”, thotë ai.