Shala: Deklaratat e krerëve serbë nuk pijnë ujë

0

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka thënë se Kosova s’ka arsye të frikësohet nga deklaratat e liderëve serbë se do të përdorin ushtrinë serbe për të mos lejuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Duke u përgjigjur për kërcënimet nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, Shala ka thënë se këto janë deklarata të zakonshme dhe se janë vetëm arsyetim para qytetarëve serbë. “Serbia do të mundohet para qytetarëve të vet të arsyetohet për punën e Vuçiqit. Taksën u munduan ta ndalën e tash edhe Ushtrinë. Është një arsyetim me deklarata bombastike. Të flitet për luftë të dytë është diçka anormale. S’po mund të them fjalë më të rëndë pasi është femër e le të shfryjë epshet me deklarata. S’ka as pse të frikësohemi e as pse të shqetësohemi nga deklaratat e tyre. Janë deklarata vetëm që të arsyetojnë veprimet e tyre sepse me politikë kaq të mbrapshtë kemi arritur këtu e jemi detyruar të kemi taksën. Sjelljet e udhëheqësve serbë në mënyrën më arrogante ndaj Kosovës shpien deri këtu ku jemi. Të mos shikojmë se çfarë thonë sepse ka për të shkuar kohë e gjatë deri kur të dëgjojmë deklarata të mira nga ta. S’mund të ketë trazira. Mund të ketë ndonjë protestë të vogël sepse në veri janë lodhur me demagogji të politikanëve dhe kanë filluar të njohin realitet të ri në Kosovë”, ka thënë ai.