Janë disa dhurata që nuk duhet t’i bëhen Xherdan Shaqirit. Hapësirë në tridhjetë metrat e fundit, gjuajtjet e lira, madje edhe penalltitë.
Dhe, duke ia lënë këto tri mundësi ish-futbollistit të Zvicrës, Servette humbi 3:1 në “St. Jakob-Park” nga Baseli me “hat-trickun” e Shaqirit.
“Është një ditë e bukur për ne. Por ishte një lojë e vështirë, një test i mirë kundër një kundërshtari të mirë. Më vjen mirë që fituam. Për mendimin tim ishte një fitore e merituar. Jam gjithashtu i kënaqur që arrita të shënoj gola përsëri në shtëpi, për herë të parë nga kthimi im, dhe që Baseli arriti të ngrihet lart në tabelë”, ka thënë Shaqiri pas fitores.
Ndeshja në mes të Baselit dhe Servettes i takoi javës së 15-të të Superligës së Zvicrës.
Shaqiri 33-vjeçar ka shënuar pesë gola, ndërsa ka kontribuar me shtatë asistime në 11 ndeshje në Superligë. Një gol e ka shënuar edhe për Kupë të Zvicrës.
Shaqiri shënoi supergol nga gjuajtja e lirë, të cilën e siguroi vet, në minutën e 40-të për 1:0. Golin për 2:1 e shënoi nga topi i kthyer pas pritjes së penalltisë në minutën e 91-të, ndërsa tjetër gol të bukur shënoi në minutën e 92-të për rezultatin final, 3:1.
“Kam dashur shumë të kthehem në shtëpi. Sepse kur je në shtëpi, mund të rritesh përtej vetes. Ju mund të shihni se po e shijoj sërish vërtetë shumë futbollin. Dhe me Baselin gjërat janë të dukshme. Tani është e rëndësishme që të vazhdojmë kështu. Atëherë çdo gjë mund të ndodhë këtë sezon”, ka theksuar Shaqiri.
Baseli është ngritur në vendin e parë me 28 pikë, sa ka edhe Lugano që po ashtu fitoi të dielën ndaj Zurichut thellë, 4:1.
“Është shumë e bukur të shikosh Baselin sërish në krye. Por kjo është vetëm një renditje. Gjëja më e vështirë në futboll është të ruash qëndrueshmërinë dhe të qëndrosh në krye sa më gjatë të jetë e mundur”, ka thënë Shaqiri.
Lavde për Shaqirin ka thurur trajneri i Baselit, Fabio Celestini.
“Të jesh sërish i pari pas shumë javësh apo vitesh është e pabesueshme. Xherdani është një lojtar i rëndësishëm për ne. Jo vetëm gjatë ndeshjeve. E shohim edhe në stërvitje dhe ne dhomat e zhveshjes. Mentaliteti i tij fitues është pikërisht ajo që kanë nevojë lojtarët e rinj. Shaqiri është i pabesueshëm”, ka thënë Celestini.
Edhe futbollisti i Baselit, Dominik Schmid, ka vlerësuar lart Shaqirin.
“Të gjithë duhej të mësoheshim me Shaqirin. Sapo të nis punën makineria, për çdo kundërshtar do të jetë e vështirë”, ka thënë Schmid.
Shaqiri u kthye në fund të verës te Baseli. Shkëputi kontratën me Chicago Fire dhe iu bashkua ekipit ku u rrit.
Shaqiri ka bërë karrierë të jashtëzakonshme. Ka fituar trofe edhe me Liverpoolin dhe Bayern Muenchenin, ndërsa ka luajtur edhe për Lyonin, Stoke Cityn dhe Interin. Tani synon titullin e Zvicrës me Baselin.