SHBA: Demokratët rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve

0

Demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës për Kongresin, ndërsa republikanët mbajtën kontrollin e Senatit, duke krijuar një Kongres të ndarë që do të vendosë pengesa ndaj programit legjislativ të Presidentit Donald Trump në dy vitet e ardhshme.
Kryetarja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në krah të figurave të tjera demokrate me peshë, doli para mbështetësve demokratë, duke thënë se është një ditë e re për Amerikën.

“Urime të gjithë atyre kandidatëve të jashtëzakonshëm, dinamikë, të larmishëm që e rimorën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në emër të popullit amerikan”, tha ajo.

“Dita e sotme nuk është thjesht për demokratët apo republikanët, është për rikthimin e kontrolleve dhe balancave ndaj administratës së Presidentit Trump”, tha ajo.

Megjithëse demokratët fituan në disa gara kyçe të martën, ata nuk realizuan atë që po quhej “valë blu” fitoresh në zgjedhjet e Kongresit dhe që analistët kishin thënë se do të kishte qenë një kundërshtim ndaj presidencës së presidentit Donald Trump. Mbajtja e kontrollit të Senatit nga republikanët u duk thuajse e padiskutueshme kur demokratët humbën gara kyçe në Indiana dhe Tenesi, dy shtete që Presidenti Trump i fitoi lehtësisht në vitin 2016. Megjithatë, demokrati nga Virxhinia Perëndimore, Joe Manchin arriti ta mbante vendin e tij në senat dhe fitoi ndaj republikanit, Patrick Morrisey, prokurori i përgjithshën i këtij shteti. Parashikimet për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, vijnë ndërsa qendrat e votimit po mbyllen në gjithë vendin. Demokratët siguruan fitoren e parë të rëndësishme në Virxhinia, në rrethinat e Uashingtonit, ku Jennifer Wexton, një prokurore dhe senatore e legjislaturës së shtetit, fitoi ndaj anëtares aktuale të Dhomës së Përfaqësuesve, Barbara Comstock./VOA