SHBA ngre shqetësime për zgjedhjet në Bosnje

0

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për, siç thanë, “mangësitë” në procesin zgjedhor në Bosnje, por theksuan se “mbeten të përkushtuara për një Bosnje të qëndrueshme dhe të begattë”.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha se shqetësimet kanë të bëjnë me saktësinë e regjistrimit të votuesve, paanshmërinë e vëzhguesve zgjedhorë, qasjen e barabartë në media dhe keqpërdorimin e burimeve publike.

Ajo nuk e bëri të qartë se çfarë saktësisht qëndron pas shqetësimeve të ngritura.

Në zgjedhjet e 7 tetorit në Bosnje, nacionalisti serb, Millorad Dodik, i cili ka bërë thirrje për ndarjen e Bosnjës, ka fituar ulëse në presidencën trepalëshe, së bashku me kandidatin boshnjak, Shefik Xhaferoviq, dhe atë kroat, Zhelko Komshiq.

Agjencia e lajmeve AP njoftoi se kundërshtarët e Dodikut po kërkojnë rinumërim të votave për shkak të, siç thuhet, “mospërputhjeve të shumta”.

Nacionalisti, Millorad Dodik është shpallur fitues për ulësen e serbëve në presidencën tripalëshe të Bosnjës, derisa priten rezultatet përfundimtare më vonë gjatë ditës së hënë.

Ngritja e liderit të linjës së ashpër në zyrën kryesore, pozitë të cilën do ta ndajë me liderin mysliman dhe atë kroat, mund të shtrijë nacionalizmin në Bosnjën e cila është përballur me luftë dy dekada më parë.

Dodik, lideri prej kohësh i serbëve të Bosnjës në Republikën Serbe, ka kërcënuar më herët se do të organizojë votime për të ndarë këtë rajon, çka do të mund të komplikonte marrëveshjen që ka siguruar paqen në këtë rajon nga konflikti i viteve 1992-95.

Komentet

komentet