SHBA paralajmëron sanksione ndaj Evropës lidhur me gazin rus

0

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar gjatë një konference për energjinë në Bruksel se administrata e Presidentit Trump do të ndërmarrë veprime ndëshkuese ndaj kompanive evropiane që po ndërtojnë linjën e tubacioneve të gazit natyror “Nord Stream 2” , të parapëlqyer nga Kremlini, për transportimin e gazit nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën.
Linja e tubacioneve “Nord Stream 2” (NS2) do të zëvendësojë kryesisht një tubacion të vjetër që kalon nëpër Ukrainë dhe Poloni dhe ka mbështetjen e qeverisë gjermane. Por kjo ka shkaktuar alarm tek qeveritë e Evropës Qendrore, zemërimi i të cilave është shtuar edhe më shumë nga minimalizimi i shqetësimit të tyre nga ana e Berlinit.

Këto vende kundërshtojnë linjën e tubacioneve të gazit “Nord Stream 2” (NS2), e cila do të përshkojë 1,200 kilometra nga Vyborgu i Rusisë në Lubmin të Gjermanisë, duke kaluar nën Detin Baltik, jo vetëm sepse do të humbasin tarifat fitimprurëse të tranzitit nga tubacionet e vjetëra, por sepse ato druhen se Kremlini dëshiron të zhvillojë tubacionin NS2 kryesisht për arsye politike dhe jo komerciale.

Duke folur në konferencën për energjinë në kryeqytetin belg, Nicole Gibson, zëvendës drejtoreshë e zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropën, paralajmëroi se nëse kompanitë evropiane rifillojnë të vëndosin tubacionet nga fundi i vitit, ato rrezikojnë “sanksione të forta”.