Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Renato Muhaj, 34-vjeçar me origjinë shqiptare vrau gruan e tij Suela Saliaj.
Ngjarja ndodhi gjatë ditës së hënës, kur policia u lajmërua për një sherr brenda familjes.
Pasi autoritetet shkuan në vendngjarje, brenda shtëpisë gjetën të vrarë Suela Saliajn 32 vjeç.
Por në apartament nuk ishte autori i dyshuar, bashkëshorti Renato Muhaj dhe as vajza e mitur e çiftit. Policia ngriti menjëherë alarmin për rrëmbimin e një fëmije.
Në banesë ishin vetëm prindërit e autorit, të cilit ishin goditur nga djali i tyre dhe u ishin marrë telefonat që të mos lajmëronin policinë. Ata u treguan autoriteteve dinamikën e ngjarjes.
Ndërkohë, një aksion për arrestimin e autorit dhe gjetjen e fëmijës nisi në shkallë të gjerë.
Policia arriti që të lokalizonte makinën e Renato Muhaj. Aty brenda ishte vetë ai së bashku me vajzën e mitur. 34-vjeçari u arrestua, ndërsa vajza 8-vjeçare ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ai akuzohet për vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim të fëmijëve.
Shkaqet e vrasjes nuk dihen ende, por dyshohet se çifti jetonte në vende të ndara nga njëri-tjetri.