SHBA-të e mirëpresin marrëveshjen Kosovë – Serbi për targat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në lidhje me çështjen e targave ilegale, duke thënë se të dy palët bën një hap gjigant.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka thënë se SHBA-të mirëpresin arritjen e marrëveshjes për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Përgëzojmë arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Price.

Zëdhënësi Price më tej thotë se SHBA mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.