SHBA-të festojnë pavarësinë, ambasadorja amerikane: Kurrë se lëshojmë dorën e miqësisë me shqiptarët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 245 vjetorin e pavarësisë. Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në facebook ka përcjellë urimet për 4 korrikun.

“Gëzuar 4 korrikun Amerikën” shkruan Rama.

Dy ditë më parë ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, organizoi një ceremoni ku ishin të pranishëm ishin presidenti Ilir Meta, kryetari i PD-së Lulzim Basha, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe politikanë të tjerë.

Në fjalën e saj në këtë ceremoni, ambasadorja tregoi se si u rrënjos demokracia në Amerikë, ndërsa theksoi dhe për partneritetin me Shqipërinë.

“Një nga veprimet tuaja të para si një popull i lirë, i shtritë dorën, e miqësisë SHBA-ve. SHBA-të e kapën me krenari atë dorë në vitin 1990 dhe asnjëherë se kemi lëshuar. E ndërsa vijmë në këtë mbrëmje për të festuar demokracinë, është e qartë se demokracia është e lehtë. Demokracia duhet të çohet, ripërtërihet, të mbrohet.

Me të drejtë duhet të festojmë sukseset e saj dhe duhet t’i përdorim si frymëzim për të ardhmen. Duhet të përballemi me të metat tona, pa pasur frikë, por me vendosmërinë për të gjetur rrugën e përbashkët dhe për të hartuar një rrugë përpara, të kujdesshëm ndaj gabimeve të së kaluarës, por gjithmonë me sytë drejt të ardhmes. Kështu që teksa festojmë këtë ditëlindje të demokracisë së SHBA, të vendosim që ta çmojmë, mbrojmë dhe ripërtërijmë demokracinë”, – tha Kim.

Më 4 korrik të 1776 delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë të hartuar nga Thomas Jefferson, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.