Në një ndryshim të papritur nga politika e saj e viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara votuan së bashku me Rusinë kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila dënon pushtimin rus të Ukrainës. Ky vendim e vendosi Uashingtonin në kundërshtim me aleatët e tij evropianë dhe në të njëjtin krah me Moskën, pikërisht në trevjetorin e nisjes së luftës në shkallë të plotë nga Rusia, njofton CNN, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Ky zhvillim vjen ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump ka nisur diskutime me Moskën për përfundimin e luftës. Ndërkohë, Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e kritikuar hapur.
Pavarësisht votës kundër nga SHBA dhe Rusia, rezoluta u miratua nga Asambleja e Përgjithshme me 93 vota pro. Dokumenti shpreh shqetësim për faktin se pushtimi rus i Ukrainës ka vazhduar për tre vjet, duke shkaktuar pasoja shkatërruese jo vetëm për Ukrainën, por edhe për stabilitetin global. Rezoluta bën thirrje për deeskalim të konfliktit, një armëpushim të menjëhershëm dhe një zgjidhje paqësore të luftës.