Sipas këtyre shifrave, ka rënie prej 17.47 për qind të lindjeve në rajonin e Tetovës. Por, nga reparti Akusherik në Spitalin Klinik të Tetovës thonë se trendi i rënies së lindjeve është trend në tërë vendin dhe jo vetëm në Tetovë
Çiftet në Tetovë lindin më pak fëmijë se në të kaluarën. Gjithnjë ndër vite shkon duke rënë numri i lindjeve në Spitalin Klinik të Tetovës. Kësisoj, nëse në vitin 2022 ka patur 1101 foshnja të porsalindura, në vitin 2021 ka patur 1326 foshnja të lindura. Sipas këtyre shifrave, ka rënie prej 17.47 për qind të lindjeve në rajonin e Tetovës. Por, nga reparti Akusherik në Spitalin Klinik të Tetovës thonë se trendi i rënies së lindjeve është trend në tërë vendin dhe jo vetëm në Tetovë. Por, për në Tetovë, ndër faktorë kryesor përmendet edhe emigracioni. “Arsyet kryesore janë se, është një fakt i pamohueshëm se rinia e tanishme nuk lindin fëmijë si në të kaluarën. Fakt tjetër është emigracioni, sepse pjesa e popullatës që është në fazën e reproduktivitetit ku një pjesë e tyre kanë emigruar dhe mendoj se këta janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar që të kemi më pak fëmijë të lindur viteve të fundit”, thotë Sani Bajrami, kryeshef i repartit akusherik pranë Spitalit Klinik të Tetovës. Por, kohëve të fundit shënon rritje numri i lindjeve të parakohshme, pohojnë në Spitalin Klinik të Tetovës.