Elita politike dhe e biznesit në Rusi thuhet se po mbledh një grup njerëzish me ndikim që nuk e mbështesin regjimin e presidentit Vladimir Putin dhe madje po planifikojnë ta vrasin atë, raportoi Ukrainska Pravda, duke cituar burime nga agjencia kryesore e inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës.
Sipas inteligjencës ukrainase, qëllimi i grupit është të rrëzojë Putinin sa më shpejt të jetë e mundur dhe të krijojë lidhje ekonomike me Perëndimin, të ndërprera nga lufta në Ukrainë, tha gazeta në një artikull me sa duket pjesë e një lufte propagandistike midis dy palëve.
Ukrainska Pravda shkruan më tej se anëtarët e elitës politike ruse kanë zgjedhur tashmë pasardhësin e Putinit. Bëhet fjalë, pohojnë ata, për Alexander Bortnikov, presidentin e FSB-së, Shërbimit Federal të Sigurisë, i cili nuk gëzon më simpatinë e liderit rus. Arsyeja e dobësimit të ndikimit të kreut të FSB janë vlerësimet e tij të gabuara në luftën kundër Ukrainës, sipas gazetës, e cila i referohet shërbimit ukrainas.
Është Bortnikov dhe departamenti i tij ata që janë përgjegjës për të analizuar qëndrimet e popullsisë ukrainase dhe kapacitetin e ushtrisë ukrainase, shton ky portal.
Bortnikov dhe disa anëtarë të tjerë me ndikim të elitës ruse, sipas inteligjencës ukrainase të cituar nga Ukrainska Pravda, po shqyrtojnë opsione të ndryshme për rrëzimin e Putinit: helmim, sëmundje të papritur, por edhe aksidente të tjera.
Siç raportohet, është e mundur që këto procese të lidhen me rrjedhjen e fundit të informacionit në lidhje me vendndodhjen e ushtarëve çeçenë në veri të Kievit. Sipas burimeve të inteligjencës, rrjedhja kishte për qëllim të dobësonte ndikimin e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, por edhe një përpjekje për të vendosur bashkëpunim me autoritetet ukrainase, duke anashkaluar udhëheqjen aktuale të Federatës Ruse. (INA)