Sherr i dhunshëm mes shqiptarëve në aeroportin e Italisë (Video)

Dy grupe shqiptarësh në Itali janë përfshirë në një sherr të dhunshëm mes tyre në aeroportin e Umbrias. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, teksa po bëheshin kontrollet e dokumentacionit përpara se pasagjerët të hipnin në avion për t’u nisur drejt Tiranës. Por për motive ende të paqarta, dy grupe pasagjerësh shqiptarë nisën të rriheshin me njëri-tjetrin.

Nga ky sherr masiv mbetën të lënduar 2 persona. Ndërsa 10 veta u arrestuan nga policia italiane, mes të cilëve 2 vajza të moshave 24 dhe 22 vjeç.

Mediat italiane kanë publikuar edhe pamjet e sherrit dhe përleshjes së shqiptarëve në mes të aeroportit. Fillimisht në radhë për Check-in ka qenë një grup shqiptarësh. Aty mbërriti më pas edhe një tjetër grup me shqiptarë, të gjithë në radhë për të udhëtuar drejt Tiranës.

Mes dy grupeve nisi diskutim i ashpër e më pas situata degjeneroi në përleshjen fizike mes tyre. U desh ndërhyrja e policisë italiane për t’i dhënë fund kësaj situate. 10 vetë u arrestuan, ndërkohë që autoritetet vijojnë punën hetimore për ngjarjen. /tvklan.al