Shiriti “One Love”, Xhaka: Jemi këtu vetëm për futbollin, Zvicra nuk do veprojë si Gjermania

Gjesti i bërë nga skuadra gjermane para ndeshjes me Japoninë, me lojtarët që mbyllën gojën në shenjë proteste ndaj FIFA-s që nuk lejon që kapiteni të mbajë shiritin “One Love”, për liderin e Zvicrës është një veprim që nuk do bëhet nga ekipi i tyre.

Në konferencën e dhënë për mediet në prag të ndeshjes së Zvicrës me Kamerunin, në Katar, Xhaka u shpreh: “Nuk i kam parë fotot e kombëtares gjermane, kam dëgjuar për të. Është një gjest që ata vendosën ta bëjnë dhe nuk mendoj se ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Duhet të respektojmë rregullat dhe të fokusohemi te futbolli. Kjo është gjithçka që kam ndërmend të bëj”.

Edhe pse Zvicra është një nga shtatë kombëtaret që donte të mbante shiritin që simbolizonte luftën kundër homofobisë, lojtari i Arsenalit përfundoi deklaratën e tij duke përsëritur: “Ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe jo për të edukuar të tjerët./ Super Sport