Kolegji Mjekësor i Klinikës “Kozle”, me anë të një letre proteste ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme dhe pa vonesa të ushtrueses së detyrës drejtoreshë Karolina Simonovska, pasi sipas tyre, e ka shkarkuar kolegen e tyre, mjeken me përvojë shumëvjeçare Veselinka Mitrovska Josifovska, specialiste e bronkoskopisë. Ata tregojnë se gjatë procesit të punës me pacientin, drejtoresha ka tentuar ta largojë me forcë nga kabineti mjeken Josifovska dhe për këtë ka dëshmitarë. Kërkojnë që institucionet urgjentisht ta kthejnë në punë!
Në po këtë letër-proteste, Kolegji i mjekëve theksojnë se ndërhyrja tek fëmija ka rezultuar me sukses, pasi i është hequr një trup i huaj nga rrugët e frymëmarrjes.
Kjo nuk është hera e parë që një pjesë e madhe e stafit të mjekëve dhe të tjerë në Kozle po reagojnë për drejtoreshën, për të cilën thonë se po keqmenaxhon dhe bën presion ndaj punonjësve.
I pyetur për këtë, dje ministri i shëndetësisë Arben Taravari, u zotua se do të rishikohet puna e disa drejtorëve të cilëve u mbaron afati 6 mujor si ushtrues detyre.