Shkoi edhe ky vit shkollor me libra të grisur (VIDEO)

0

Kjo është gjendja e librave me të cilat pritet të mësojnë nxënësit e klasës së katërt në shkollën fillore Petar Zdravkovski – Penko në vitin akademik 2019/20. Reagime të shumta për gjendjen e librave. Së fundmi një prind i revoltuar i cili dëshiron që të jetë anonim në redaksinë tonë ka dërguar fotot dhe ka ftuar drejtorin që të marrë masa.

“Libra gjysmë të shqyer, të kafshuar, të improvizuar me kartonë! E ftojmë drejtorin e shkollës të marrë masa në lidhje me këtë problematikë. Nëse nuk ndodh kjo, do të ankohemi në Ministrinë e Arsimit! Gjynah fëmijët në çfarë torture duhet të mësojnë. Ne nuk kemi fëmijë që dikush të eksperimentojë me ta. Turp”, thotë prindi i revoltuar.

E për t’ju përgjigjur ankesës së prindit, Tv21 drejtoi pyetje deri tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Drejtoria e Shkollës “Petar Zdravkovski – Penko”. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se për çështjen e librave të vjetër dhe mungesën eventuale shkollat obligohen të dërgojnë kërkesë për furnizim nga ministria.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës zakonisht i informon shkollat fillore dhe të mesme në vendin tonë për sa i përket furnizimit me libra shkollorë. Të gjithë ato shkolla bëjnë specifikimin, respektivisht, regjistrimin e atyre librave shkollorë të cilët janë të dëmtuara, e njoftojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për nevoja të plotësimit të këtyre librave që janë në mungesë e sipër. Ministria e zbaton procedurat e veta për t’i furnizuar shkollat me librat shkollorë”, u shpreh Safet Neziri, Sekretar Shtetëror i Arsimit.

Drejtori i shkollës fillore “Petar Zdravkovski Penko”, Enis Mehmeti thotë se në shkollë është formuar komision i cili në bashkëpunim me kujdestarët e klasave bëjnë evidentimin e librave të dëmtuar ose të humbur.

“Siç e dini, ligji e parasheh që disa vite të përdoren librat. Po tash ata fotografi që bëjnë bujë në rrjetet sociale, është normal, sepse pak duhet të jemi edhe vet kritik. Të mos e hedhim gishtin vetëm ka shkolla, drejtoria, ministria dhe Arsimtarët. Pak duhet të jemi edhe ne të vetëdijesohemi, sepse ata libra i përdorin fëmijët tanë”, potencoi drejtori i SH.F. “Petar Zdravkovski-Penko”, Enis Mehmedi.

Kjo nuk është hera e parë që prindërit dhe nxënësit ankohen për librat e grisur dhe por edhe për mungesën e tyre. Fenomeni tjetër shqetësues dhe ende i pazgjidhur është ai i shtrembërimeve të shumta faktografike në pjesën e historiografisë së popujve të Ballkanit dhe prejardhjen e tyre./TV21