Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë inspektuar dy objektet shkollore në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës dhe kanë konstatuar se shkolla ekzistuese është në gjendje të dobët dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente.
“MASH, në bashkëpunim me Komunën e Krushevës, po shqyrton opsionet për tejkalimin e situatës. Objekti ekzistues nuk është në gjendje të mirë dhe kërkon përmirësime. Ndërsa për objektin e ri të ndërtuar nga banorët, Ministria nuk ka marrë pjesë në ndërtim dhe as nuk ka mbikëqyrur punimet, prandaj nuk mund të japë pëlqim për përdorimin e tij pa u vlerësuar nëse i plotëson të gjitha standardet e sigurisë dhe ndërtimit për një shkollë”, thuhet në njoftimin e MASH-it.
Objekti i ri u ndërtua me iniciativën dhe kontributin e banorëve, pas ankesave për mungesën e kushteve në shkollën ekzistuese, ku mësojnë mbi 120 nxënës shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev”. Pasi u ndaluan punimet në objektin e ri, banorët protestuan dhe fëmijët bojkotuan mësimin për disa ditë, para se të riktheheshin në bankat shkollore. Deri më tani, nuk ka ende një zgjidhje përfundimtare për këtë situatë.