Ministri i arsimit Jeton Shaqiri duket i pafuqishëm për të realizuar kërkesën që prej vitesh qëndron në sirtarët e ministrisë për ndërrimin e emrit të Shkollës “Mosha Pijade” në Tetovë.
Ai vizitoi sot këtë Shkollë për të promovuar disa investime. Për ndërrimin e emrit tha se nuk e din propozimin e vjetër që daton nga periudha kur me Arsimin udhëhiqte i ndjeri Abdilaqim Ademi.
“Nuk jam kundër asnjë iniciative e cila vjen dhe respekton bazën pra nga baza. Nëse një nismë që ka filluar më herët duhet të del nga bordi drejtues i shkollës, këshilli, një nismë që do del nga nxënësit nga prindërit do e vlerësojmë maksimalisht secilën nismë. Në kohën që jetojmë, si institucionet arsimore, rrugët e tjera konform Ligjeve pra si një shoqëri ku jetojmë të gjithë nuk duhet të shohim dallimet ku vlerësohet një personalitet apo një personalitet tjetër qoftë nga një apo pala tjetër duhet të gjithë ti vlerësojmë në mënyrë të barabartë. Kështu që nuk shoh kundërshtim edhe pse nuk e di propozimin e asaj kohe dhe nuk e di propozimin që mund të vijë në periudhën e ardhshme por do e vlerësoj secilin propozim të ardhur”, deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe shkencës.
Drejtori i Shkollës së mesme profesionale “Mosha Pijade”, duke mos pasur se ku të hedh topin, tha se pajtohet me ministrin.
“Unë meqë kam qenë edhe atë kohë edhe sot, pra me ish ministrin e ndjerë, gjithçka që buron pra shumë mirë e tha ministri se çdo gjë që buron nga poshtë dhe në koordinim do merremi vesh dhe gjithsesi do merremi vesh. Sepse Mosha Pijade është emër që nuk na takon as neve as palës maqedonase”, theksoi Sherif Abduramani. Drejtor i ShMP “Mosha Pijade.
Në situatë të njëjtë janë shumë shkolla të mesme dhe fillore në Tetovë, të cilat mbajnë emra nga periudha e komunizmit. Përkundër premtimeve, pushteti lokal dhe ai qendror kanë thënë se presin moment më të mirë politik për ndërrimin e emrave./Alsat