Shkrimtari i përkushtuar vetëm për krijimtari letrare që askush s’ia përmend emrin

Nga Sinan GASHI

Në jetën e shkrimtarëve përherë ndodhin gjëra interesante, madje edhe me ekstreme në raport me fatin e tyre e gjithsesi edhe të krijimtarisë së tyre. Disa nga ata kanë fatin e keq dhe mezi përballojnë ato mynxyra, qoftë me mangësi ekonomike sa për të jetuar, e aq më keq në raste kur dhuna politike e survejon hap pas hapi; disa të tjerë kanë probleme me bërjen publike të krijimtarisë së tyre, e cila krijon shqetësim dhe gëzim ngjizur, njëkohësisht.
Po, ky rast tashti, është disi më ndryshe. Ka të bëjë më një shkrimtar tepër të përkushtuar, i cili edhe e ka dëshmuar vlerën krijuese me shkrim-botimin e më së 20 veprave letrare, poezi, tregime, romane e drama, e po aq i ka ende në dorëshkrim, madje vëllimmëdha, por që askush nuk ia ka zënë emrin në gojë, përkatësisht të shkruaj as sa për një prezentim elementar.
Mu nga ky fat, ai, pas kaq vjetësh, mbeti i injoruar fillimisht nga pushteti komunist jugosllav e pastaj edhe nga krijuesit letrarë shqiptarë. Ai tashti mundohet t’i ikë edhe vetes së tij, duke botuar vepra vetëm me pseudonime, edhe aq sa për të qenë, vetëm se e bëjnë edhe më të fshehur autorin.
Fjala është për shkrimtarin Xhevat Jashari nga fshati Lugishdë (Lubizhdë) e Prizrenit.

Diçka nga jetë-krijimtaria e Xhevat Jasharit-

Duke qenë që herët një personalitet që ka formuar karakterin e fortë dhe edukimin familjar atdhetar, ai asnjëherë nuk mund të përjetojë qetësi. Rropatjet e tij në rrugën jetësore, nuk janë pa gjë, por fatkeqësisht ndodhën në një kohë të pakohë.
Xhevat Jashari është i lindur më 20 gusht 1947. Shkollimin fillor e mbaroi në shkollën tetëvjeçare “17 nëntori” në Prizren. Edhe gjimnazin, gjatë viteve 1964 – 1968, e mbaroi po në Prizren.
Me ëndrra të mëdha djaloshare, ai u përcaktua për të studiuar sociologjinë, e cila degë ishte vetëm në Universitetin e Beligradit. Fillimet ishin jashtëzakonisht të vështira, sa për mungesat financiare nga familja, aq edhe për mësuarjen e gjuhës serbe për ligjërata. E nisi duke fjetur nëpër baraka të punëtorëve të njohur shqiptarë në Beligrad, duke u ushqyer po ashtu me të mbeturat e tyre, por, për asnjë çast duke mos iu ndarë bibliotekave dhe leximit të përhershëm, sa edhe ato pak para që i dërgonin familjarët, apo që i ndihmonte dikush nga punëtorët, në mos më vonë me atë kredinë që ia ndau Fakulteti Filozofik i Prishtinës, ai të gjitha i harxhonte vetëm për blerjen e librave. Ajo punë gradualisht i kaloi në mani. Libri dhe asgjë tjetër në jetë!
Pos vështirësive në jetë, ai, tok me gëzimin për realizimin e dëshirës së kamotshme për shkollim, ballafaqohet me një arrogancë antishqiptare nga kolegët e tij studentë serbë, duke u konfrontuar vazhdimisht me ta. Çështja kishte të bënte për simbolet kombëtare, që ky ishte i ndezur pas tyre që në shkollën e mesme. Rrëfen për një ditë, duke bredhur sheshit të Kalamegdanit, një e moshur shiste në rrugë disa gjëra të imëta. Aty e pa edhe një flamur shqiptar, nja pesë centimetra të lartë, të cilin e bleu me gëzim, pastaj edhe një shqiponjë të vogël nga plastika. Madje flamurin e vogël e mbante vazhdimisht me vete dhe e vendoste në tavolinën e mësimit në bibliotekë e edhe në sallën e ligjëratave në fakultet. Për atë dikush e ngacmoi, madje duke e shpotitur se ‘ky është ambasador i Shqipërisë’ se e mban flamurin identifikues. Debati u zgjerua edhe për figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilën ata e minimizonin deri në fyerje, kurse Xhevati i mërdhezur emocionalisht, e mbronte me fakte historike. Po të mos reagonte ndaj fyerjes për simbole kombëtare, i dukej dobësi, andaj vijnë pasojat-edhe nga profesori dr. Mihaillo Popoviq, i cili ishte shef i katedrës. Aq larg shkoi puna, sa ai tha sheshazi se nuk do ta kalojë asnjëherë sa të është ai aty.
Kështu, edhe pse i kreu të gjitha provimet, me njëqind peripeci të natyrave të ndryshme, në lëndën e Popoviqit u rrëxua katër herë, sa që e humbi vitin. Në vjeshtë ai vendosi ta regjistroi sociologjinë sërish me korrespondencë, por ngase materien e kishte shumë të njohur, regjistroi edhe albanologjinë. I nisi studimet e rregullta në vitin 1971, kur shef katedre ishte Prof. Vojisllav Dançetoviq, me prejardhje nga Vushtrria. Xhevati ishte i njëjti: lexonte dhe vetëm lexonte, tashti materiale për lëndët e tjera të albanologjisë, të cilat i bënte dhe më me dëshirë, duke radhitur suksese në të gjitha provimet. Pas vitit të parë, të dytin nuk e regjistroi për shkaqe ekonomike dhe politike, se ky u bë me gisht tashti atje. Këto rrethana e lanë në shtëpi, duke u marrë me punë bujqësore de blegtorale. Megjithatë, edhe pas punëve të lodhshme bujqësore apo edhe atyre blegtorale, ai në pushimet e rastit, me çantën që e mbante me vete, kishte libra të preferuar, të cilat i lexonte vazhdimisht.
Që në gjimnaz kishte lexuar, pos lektyrës shqipe, “Tom Sojerin”. “Hajdin”, pastaj “Hamletin”, “Oliver Tuistin”, “Zemrën”, “Vilhelm Telin” e tjerë, duke qenë më i miri, për çka pati që atëherë peripeci me mësimdhënësit nacionalistë serbë, madje duke mos ia dhënë as dëftesat e mbarimit të shkollimit, të cilat ia sjellin me milici..
Ani pse për dhjetë vite i duhej të bënte punë fizike në fshat, sa për të mbijetuar, ai dëshirën e përhershme për librin nuk e la, duke lexuar vepra letrare por edhe të natyrës filozofike dhe sociologjike. Pas kësaj dekade punësohet si gazetashitës në Prizren, ku iu krijua një komoditet që të lexojë dhe krijojë me laps dhe fletore në një kioskë.
Ajo që duhet theksuar, Xhevat Jashari të gjitha ato dhjetëra vepra i ka shkruar tërësisht me dorë në fletore të shumta, që pastaj i hedhte në makinë shkrimi, një mund jo i natyrshëm në këtë profesion. Po ashtu e veçanta tjetër është se të gjitha veprat i ka botuar me mjete vetanake dhe se të gjitha i ka shpërndarë falas për lexuesit e pasionuar dhe profesionistë të letërsisë.
Sakrificë pas sakrifice!
Dhuntinë e krijuesit letrare, duke nisur me vargje që në shkollën fillore, përkatësisht të mesmen, e pastaj e vijojë gjatë gjithë jetës, deri tashti në pleqëri të thellë, pavarësisht rrethanave jo të favorshme ekonomike.
Lexonte edhe shkruante vazhdimisht. Me kohën, kur pena e tij mori karakter serioz krijues, ai nxori edhe veprat e para, por për asnjë çast duke mos e lënë këtë profesion të adhurimit të rëndë. Temat që e preokuponin ishin kryesisht ato të historisë kombëtare dhe të problemeve shoqërore, deri në vitet e vonshme të shqiptarit në këto treva.
Ai edhe tashti nuk i shqitet letrave dhe shkrimit po me laps në fletore, që pastaj presin radhitjen në kompjuter, për të marrë rrugën e formimit të librit.
Është e çuditshme se prej ku i buron ajo forcë fizike dhe ai burim i pashtershëm frymëzimikëtij personi të moshës së tretë..

Romanet “Kthimi” dhe “Në rrjedhat e fatit”

Duke qenë fillestar në botim dhe duke e ndjerë një ‘frikë’ nga dalja në opinion me një vepër kapitale, Xhevat Jashari – Xhelaja për autor, zgjedh edhe dy pseudonime:
Xhelato Vati – Xhelaja apo vetëm Xhelaja, një specifikë e modestisë së pa tejskajshme të autorit. Kësisoji ai veprën e bënë parësore në jetë e autori vetëm le të kënbaqet duke e kunduar nga larg dhe duke i dëgjuar vlerësimet që i bëhen nga të tjhetër, në praninë e tij, pa e ditur që autori është ai.
Romani kap problemet e poetikës shqiptare, në mos shqiptarëve nën përcjelljen e shëmtuar të dhunës së politikës jugosllave në trevat e Kosovës. Vetë titulli rrëfen se dikush ishte kthyer, përkatësisht personazhi kryesor i romanit, strumbullari i tij,
Fisnik Sabriut nga burgu famëkeq i Goli Otokut, për të përvijuar pastaj rrëfimi i nduarnduarshëm për gjendjen e kështushme, përjetimet e atjeshme, dhunës sistematike dhe në forma më perfide të sundimtarëve sllavë ndaj shqiptarëve e kështu me radhë. Kjo temë e peshës së rëndë emocionale nuk lihet ashtu nga autori, duke i futur edhe ngapak lirikë njerëzore, për ta dhënë në tërësi të kompletuar jetën si dhe për të qenë më bindës edhe për lexuesin. Sido që të jetë jeta ka larushitë e veta, për çka përkujdesja e autorit në këtë kahe është e pranishme. Në skenën e veprës lëvizin tipa të ndryshëm, karaktere po të ndryshme, duke i manifestuar ato përmes veprimeve dhe sjelljeve në raport me situatat jetësore.
Romani në të shutim ka një mënyrë shprehjeje dialogjike, e cila shpreh një dinamikë rrëfimtare, e cila sa shpjegon ngutinë e saj, po aq reflekton edhe anën emocionale të romancierit, i cili është mbushur tej mase me emocione përjetueses të problemeve jetësore, jo vetëm të tijat por të shqiptarëve, të cilat ai i merr si personale. Ja se sa me pak sqarohet me aq shumë për një idealizëm naiv të tij:
“-Çfarë do të thuash?!- i zgurdulloi sytë Sylejman Myftari.
-Po Luciferi është engjëll rebelues dhe Fisnik Sabriu a nuk ngriti kokë kundër komunizmit?!
-Ngriti!- ia ktheu Sylejman Myftari.
-E pra, Fisniku si komunist i rexhur, u rebelua dhe ngriti krye kundër partisë së vet dhe ata e dënuar me Goli Otok.”
Është diçka e çuditshme se si autori, nga dijet dhe nga dashuria ndaj profesionin të nisur, shpesh fut në roman mendime në origjinal latinisht, që janë paksa jo të natyrshme për romanin. Madje, nga po ato dituri, ai i ngërthen në mënyrë krahasimtare, personazhet e historisë së lashtë me ata të kohës së tij, reflektim i asaj se historia përsëritet, vetëm se në specifikë tjetër. “-Zylfikar…! Thua ti se Sokrati nuk i tha Pitias se unë di sa nuk di asgjë!”
Thënë shkurt, romani ka edhe politikë, edhe filozofi, edhe art të shprehjes, është dashuri, me një fjalë ai është një rrumbullakim i jetës tërësisht dhe i dijeve të shumta të krijuesit.
Ngase ky roman shënohet me një numër 12 do të thotë është pjesa e parë, në të dytën kushtimisht vijon fati i kryepersonazhit, përkatësisht vijimësia e fatit shqiptar në këto treva.
Romani tjetër “Në rrethanat e fatit” sërish e ka të njëjtën brengë romancieri, por duke e shikuar nga një këndë tjetër. Sido ët të jetë, gjithë veprat e tij janë shfryrje brengash dhe shkrifëtitje fatesh në rrethana tepër të vështira, por që kanë në vete kaptina historike të mbijetimit në këto treva etnike.
Këtu ngjarja është e shtyrë në një kohë më të hershme, atë të sundimit turk, kur raportet sikur janë të ndryshme, por sërish çështja kombëtare dhe sociale e shqiptarit e kanë po të njëjtën vështirësi. Është beu, nizami e tjerë që e përfaqësojnë dhunën kushtetore dhe shtresa tjetër e nëpërkëmbur që vetëm sa frymon.
Si gjithherë, lëvizjet shqiptare për lirim nuk prajnë, andaj autori e krijoj realisht këndveprimin nga atdhetarët e përkushtuar. Madje, ajo që është specifike këtu, kaptinat janë të gërshetuara edhe me lirikën shprehëse, përkatësisht me fragmente poezish sikur i krijon Meluni, që, sa e lidhin më bukur anën emocionale të personazheve, aq edhe e bëjnë më tërheqëse për lexuesin. Ja një fragment,

“O ju bijtë e arbërit
pasardhësit e Ilionit,
stërgjysh e patët Pirron,
Agronin, Bardhylin e Gentin,
(trashëgimtarë të mbretërisë Yjore)
gjersa atë Iskanderin e pamposhtur.
Ngrituni e bjeruni turqve në Kala!…”

Edhe pse tragjedia vijon, ai në roman nuk e pranon dorëzimin. Gjithçka është ne vijimësi për te rruga e ngadhënjimit.
Të gjitha veprat autori i vendos në qytetin e simbolikës gjithëkombëtare Prizrenin dhe rrethinat e tij.

Dramat: “Mojsi Golemi”, “Ymer Prizreni”,
“Pjetër Bogdani”

Kudo që nisi shkrimet e tij Xhelaja, është i njëjti, gjithçka kombëtare është frymëzuese për të.
Edhe në këto vepra dramatike, që për nga titulli i tyre, lehtas nënkuptohet edhe përmbajtja e tyre, ai personalitetet e shquar të historisë shqiptare i aktualizon me gjuhën e aktualitetit, gjithnjë duke i dhënë mish të jetës sonë dhe njëkohësisht duke shprehur përmes tyre idealet e tij dhe aftësinë intelektuale e krijuese të tij.
Drama “Mojsi Golemi” e shkruar në tri akte e pesë pamje, me gjithsej 228 faqe libri, dijet se është temë e kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ato që dihen nga historia si bosht tematik janë këtu, por autori e mishëron në stilin e tij shprehës dhe me nuancat që i ka synim. Personazhet janë të po asaj kohe, si Zanfina, e shoqja, Gjergj Kastrioti, Tanush Topia, Uran Konti, Gjin Maneshi e të tjerë. Ngjarja zhvillohet diku në Azi.
Nga ana formale, ajo që duhet vënë në spikamë, është ana teknike e vargjeve: edhe pse nuk është e shkruar në vargje, ai e bënë thyerjen e njëjtë, në mënyrë që t’i ngjasë veprave dramatike klasike.
Ja një shembull:

MOISIU:
Oh Ai erdhi dhe me hir
Apo pahir e çliroi Krujën
Dhe jo vetëm i zoti i shpatës
Por edhe i pendës. Megjithatë
Ka ca të meta se si gjuhë zyrtare
Nuk përdoret arbërishtja
Por gjuhët e huaja…!

Edhe drama në tri akte për Ymer Prizrenin, më 170 faqe, e ka të njëjtin interesim historik të fakteve, me të njëjtën teknikë mbarështrimi. Ngjarja sa është e vendosur në Prizrenin e ngjarjes, ajo zhvendoset edhe në Ulqini n shqiptar, atje ku emigroi Vokshi i ndjekur nga hordhitë turke. Personazhe të tjerë janë edhe Sulejman Vokshi, Ramadan Zaskoci, Abdyl Frashëri e të tjerë.
Kudo që e shpie fati, në Prizren apo në Ulqin, Ymeri është burrë i karakterit të njëjtë, me përcaktime kombëtare sakrifikueses. Malli për vendlindjen dhe angazhimi i përhershëm kombëtar, në çfarëdo rrethane, atë e tipizojnë si burrështetas që nuk di të zmbrapset por as të ligështohet.

YMER PRIZRENI:
E kemi dashur dhe e duam njëri-tjetrin
dhe nuk pyesim është mysliman apo i krishterë
por të gjithë duhemi dhe kur është në pyetje
mëmëdheu ngritemi në mbrojtje të atdheut.
sa për tradhtarë, nuk kam ç’të them
vetëm se vdekje e tradhtarëve!

***

YMER PRIZRENI:
Sa kisha dashur të jem në bjeshkët e Sharrit
e para kopesë së deleve t’i bie kavallit.
Po që do pasi që fati historik më ngarkoi
me detyrë hyjnore, të vuaj e në vuajtje të heshti
dhe në heshtje, mendime të bluaj e në luajtjen
e mendimeve, ta kërkoj fillim e shpëtimit
të atdheut nga kjo robëri shekullore.

Kështu e gjitha drama përfundon me fjalët e Ymer Prizrenit se nuk jemi thyer e nuk do të thyhemi, por, o burra, bjeruni!
Pjetër Bogdani dhe bëmat e tij janë subjekt i dramës tjetër që e mban titullin e njëjtë. Kjo dramë ka vetëm dy akte, me shtatë personazhe dhe grupi i qytetarëve, shkruan në gjithsej 204 faqe. Personazhet, si Gjon Bogdanio, Thoma Rasparasi, Ukë Vorbani, Llukman Gashi, Lukë Bogdani dhe Pikolomini (gjeneral austriak), në bisedat e tyre bëjnë që të shihet interesimi, preokupimi dhe forca njerëzore, kombëtare e intelektuale e Pjetër Bogdanit. Xhelaja është i njëjti: e nxjerr dufin e padrejtësive edhe ndërkombëtare në raport me shqiptarët dhe fatin e lig historik të tyre, duke i shikuar drejtë në raport me qëndrimet e shteteve evropiane. Vazhdimisht në ato mendime-këshilla të Bogdanit, jepen mesazhe, të cilat fatkeqësisht nuk janë vetëm të një kohe e të një vendi.

PJËTËR BOGDANI:
I ndihmuan vetes e jo gjeneralit
As austriakëve, por atdheut i ndihmuam.
Nga përleshja e këtyre dy perandorive
Duhet të luftojmë për çlirimin e Arbërisë.
Nga të dy të lodhurit, duhet ne
Të dalim ngadhënjimtarë.

Me qëndrimin e njëjtë, të pathyeshëm, dihet fati i P. Bogdanit, i cili shkoi në përjetësi si shëmbëllesë e shqiptarit të sakrificës për tokën e vet.

Të dhëna bibliografike

Xhevat Jashari, i njohur në letërsi me pseudonimin Xhelato Vati – Xhelaaj apo vetëm me Xhelaja, deri tashti ka botuar këto vepra:

1. “Kthimi 1”, roman,.
2. “Kthimi 2”, roman,
3. “Me rrjedhat e fatit”, roman,
4. “Shqiponjat e koxhaballkanit”, roman.
5. “Kthimi i të zhdukurit”, roman,
6. “Per aspera ad astra I”, roman,
7, “Gjarpri dhe kobra”, roman,
8. “Në rrethanat të fatit” roman,
9.“Ali pashë Tepelena”, dramë,
10. “Kadri Hoxhë Prishtina”, dramë,
11.”Mojsi Golemi”, dramë,
12. “Pjetër Bogdani”, dramë,
13. “Ymer Prizreni” dramë,
14. “Plaku i maleve”, roman në vargje,
15. “Darka e lamës”, tregime dhe novela,
16. “Allahu im”, poezi.
Të gjitha këto vepra të hershme në dorëshkrim janë botuar gjatë viteve 2000 – 2022.

Veprat në dorëshkrim, që presin për t’u botuar:

1. “Kthimi 3”, roman,
2. “I humburi”, roman,
3. “Kuvendi i Prizrenit 1”, roman,
4. “Kuvendi i Prizrenit 2”, roman,
5. “Angjelina” roman,
6, “Mërgimtarët 1”, roman,
7. “Mërgimtarët 2”, roman,
8. “Halil Gashi – kaçaku”, roman,
9. “Beteja e Slivovës”, roman,
10. “Krushqit e lirisë”, roman,
11. “Liria e dhuruar” roman,
12. “Me kutin e Lekës dhe me shpatën e Skënderbeut” roman,
13. “Liria nuk dhurohet por fitohet”, roman,
14. “Bijtë e bolshevikëve”, roman,
15. “Per aspera ad astra I”, roman,
16. “Muja dhe Halili” dramë,
17. “Hasan Prishtina” dramë,
18. ”Mic Sokoli” dramë,
19. “O sot o kurrë” dramë,
20. “Shaban Polluzha” dramë,
21. “Skënderbeu” poemë,
22. “Prekazi, altar i lirisë” poemë,
23. “Ditari në vargje”, në 2000 faqe.

Si përmbyllje

Është e pamundshme me kaq nguti të thuhet ajo që duhet dhe është obligim për gjithë këto vepra letrare, shkruar me përkushtim të rrallë, por edhe si një njohje nga ata që janë bërë gati të vijnë në këtë rrugëtim të sakrificës e të asgjësë tjetër, të analizohen denjësisht, jo gjithaq për autorin, sa për aktualitetin shkrimor të këtyre veprave letrare vëllimmëdha. Madje mos të flasim edhe për dorëshkrimet, që do e rrumbullakosnin krijimtarinë e Xhevat Jasharit (Xhevat Jasharir-Xhelajes, Xhelato Vatit apo Xhelajes) në 39 vepra,, për të qenë bindës në konstatimet që do i merrnim si rezyme e gjithë asaj sakrifice-krijimtarie si asnjëherë më parë e madje edhe më pas.
Sido që të merret, ky është një shembull pasionant ndaj punës, përkatësisht krijimtarisë letrare, e cila nuk sjell asfare përfitimi te ky rast, pos një kënaqësi dhe shfryrje e ngarkesës emocionale.
Ec e mos e prano se arti letrar është një terapi shpirtërore!

Legjenda: