Shkup, arrestime nën dyshimet për terrorizëm

INA
INA

13 Maj, 2023

Autoritetet policore maqedonase njoftuan se kanë arrestuar tre shtetas të dyshuar për veprimtari terroriste; dy prej tyre janë arrestuar brenda vendit, ndërsa i treti është arrestuar në Francë.

Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup nuk ka dhënë infomacion për identitetin e plotë as përkatësinë etnike të të ndaluarve, përveç inicialeve të tyre: O.S.,28 vjeç, R.S.(33) dhe M.G.(26).

“Aktivitetet kanë rezultuar me një aksion policor të sinkronizuar njëkohësisht në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Francës, me ç’rast dy persona në vendin tonë dhe një person në Francë janë privuar nga liria; që të tre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga autoritetet.Sipas autoriteteve aksioni është bërë në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit, ndërsa të arrestuarit, “gjatë vitit 2014 iu ishin bashkuar formacioneve të organizatës terroriste ISIS në Siri dhe si luftëtarë kishin marrë pjesë aktive në luftime”.

Arrestimet në Shkup janë bërë në orët e paraditës së të premtes. Tek dy personat, sipas policisë, janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh dhe municionesh, si dhe pajisje të tjera elektronike që mund të përbëjnë prova shtesë për veprën penale.

Departamenti për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Prokurorisë Themelore Publike ka ngritur akzua kundër këtyre personave për veprën penale “shërbim në një ushtri armike” sipas Nenit 322 të Kodit Penal.

Qeveria në Shkup miratoi para disa vjetësh strategjinë kombëtare për luftë kundër terrorizmit dhe planin për riintegrimin, risocializimin dhe rehabilitimin e personave dhe familjeve të tyre të kthyer nga luftërat e huaja.

Vlerësohet se nga Maqedonia e Veriut për në konfliktet e Lindjes së Mesme kanë shkuar mbi 200 veta. Sipas të dhënave të autoriteteve të sigurisë, janë kthyer rreth 80 persona.
Një numër i tyre u gjykua, teksa dënimet për këto vepra sipas ligjeve të vendit sillen nga 6 deri në 9 vjet burg.

Disa kanë mbetur të vrarë në betejat e atjeshme apo në rrethana të panjohura, ndërsa një pjesë kishin arritur të kthehen të dëshpëruar dhe penduar për veprimin dhe për atë që kishin parë në këto shtete. Megjithatë, nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e luftëtarëve apo shtetasve të Maqedonisë së Veriut të vrarë në luftrat në Siri dhe Irak./VOA

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

vullnet ahmeti vellai

Vullnet Ameti me dedikim prekës për të vëllanë: Do të takohemi në ëndrra Luan

izet mexhiti

Mexhiti: Lider de facto i BDI-së është Grubi, lobi i kazinove e ka hutuar Ahmetin

ahmeti-kovacevski-taravari-bdi-lsdm-ash-qeveri

LSDM, BDI dhe ASH, me lista të përbashkëta në zgjedhje?

shkupi

Maqedonia e Veriut deri në vitin 2050 do të jetë me 11% më pak popullsi?!

izet mexhiti

Mexhiti: Ne jemi zgjedhur nga Kongresi dhe vetëm ai mund të na shkarkojë

bujar osmani

Osmani: Një rrugë e re po shfaqet për Ballkanin Perëndimor

islam islami

Islam Islami, emërohet drejtor i Medresesë “Isa Beu” në Shkup

fatmir bytyqi

Bytyqi: LSDM-ja, e gatshme për zgjidhjen e statusit të ish UÇK-së

Prokuroria

Djali i Talat Xhaferit dhe bashkëshortja e Islam Abazit u bënë prokurorë

INFO

NA NDIQ