Shkup, hapet panairi i katërt i bletarisë

Në sheshin “Maqedonia” në qendër të kryeqytetit Shkup është hapur “Panairi i katërt i Bletarisë së Maqedonisë”, i cili do të zgjasë deri të dielën, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo ngjarje e ditëve të mjaltit u hap nga Jane Markov, kreu i Federatës së Bletarisë së Maqedonisë, e cila është edhe organizatore e këtij panairi, në mbështetje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave. Nikoqir i ngjarjes është Qyteti i Shkupit.

Markov në fjalën e tij theksoi se në një pjesë të caktuar të tendave do të ofrohen pajisje për bletarinë për nevojat e bletarëve.

“Në këtë manifestim qendror do të marrin pjesë mbi 20 ekspozues nga të gjitha anët e Republikës sonë. Në tenda do të ekspozohet mjalti dhe të gjitha produktet e bletëve. Në të njëjtën kohë do të mund t’i shijoni dhe t’i siguroni vetes këto produkte cilësore”, tha Markov.

Ai gjithashtu theksoi se bletaria në Maqedoninë e Veriut është në rritje.

“Kemi bletarë nga të gjitha degët, nga të gjitha strukturat e moshës dhe nga gjinia e kundërt. Po bëhet një biznes familjar me traditë dhe një numër i madh i të rinjve po zgjedhin si biznes bazë bletarinë”, tha Markov.

Më tej, ai foli edhe për ndikimin e krizës energjetike në këtë biznes, sipas të cilit, kriza energjetike “po e bën të veten”.

“Nëse deri më tani shpenzohej një sasi e caktuar parash për karburant për një vizitë në bletore, tani konsumi është rritur në më shumë se 100 për qind. Është planifikuar të ndryshohet rregullorja për subvencione për bletarët. Duhet të mendohet seriozisht, sepse paraqet rrezik që një numër i madh i bletarëve të heqin dorë nga bletaria dhe kështu mjedisi ynë të tmerrohet”, u shpreh Markov