Shkupi insiston për ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviq të rastit “Monstra”

0

Gjykata Penale e Maqedonisë insiston në ekstradimin e të akuzuarve në rastin Monstra, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq. Në seancën e sotme gjyqësore gjykatësi tha se vazhdimisht ka bërë kërkesa për ekstradimin e dy të akuzuarve, përfshirë edhe ditën e sotme, por përgjigjet nga autoritetet kosovare janë konfuze. Një herë Kosova pati refuzuar kërkesën për ekstradim me pretekstin se Maqedonia nuk ka arritur të dëshmojë se ata të dy janë autorë të vrasjes. Por tani me kërkesat e reja dhe me kyçjen e PSP-së në lëndë, pritet të shihet mendimi i autoriteteve të Kosovës. Në seancat e kaluara vëllai i Afrimit, Agim Ismailoviç por edhe të akuzuarit e tjerë, i thanë gjykatës se ata komunikojnë me Alilin dhe Afrimin nëpër rrjetet sociale, por nuk ua dinë vendbanimin. Siç pati thënë Agim Ismailoviq, vendin e saktë të banimit ua di vetëm Policia e Kosovës.

Për sot, ishte paraparë që të dëgjohet dëshmitari i koduar E-1, mbi deklaratën e të cilit u morr kryesisht vendimi për burgun e përjetshëm të gjashtë shqiptarëve, por gjykatësi Osman Shabani ishte sëmurë dhe kishte marrë pushim mjekësor, dhe për këtë shkak, procesi gjyqësor u shtye për pas më shumë se një muaji. Gjykatësi Ognen Stavrev u arsyetua para familjarëve se ai i ka përgatitur të gjithë mjetet teknike për të dëgjuar dëshmitarin e koduar, por shkaku i mungesës së Osman Shabanit, gjykimi nuk mund të vazhdojë. Familjarët ankoheshin se këto anulime janë lojëra të përgatitura nga BDI dhe nuk besonin në sëmundjen e gjykatësit. Prindi i njërit prej djemve të vrarë Goran Nakevski, akuzoi se gjithmonë kur ka momente kyçe në rastin “Monstra”, ndodhë që gjykatësit sëmuren, dhe kështu nuk dëmtohen as proceset politike. Familjarët vazhdimisht hidhnin fjalë tek gjykatësi duke thënë se gjykata është e dirigjuar nga një qendër politike që i kurdis zhvillimet e gjykimeve.

Dafinka Ivanovska, avokate e të dëmtuarve

“Nuk mund të komentoj sëmundjen. Por e di sigurtë që kjo është edhe një goditje tjetër për prindërit dhe opinionin. Kjo pasi edhe seanca e kaluar u anulua. Menduam se këtë seancë do të ketë ndonjë zhvillim pasi edhe ne dhe gjykata ishim të përgatitur. Vlerësoj se kjo nuk është lojë, se vërtetë ka ndodhur kjo dhe ne nuk jemi ata që duhet të dyshojmë. Por, nuk është në rregull që kështu pesë minuta para orës 12 të anulohet gjykimi që e presim të gjithë. Vlerësoj se kjo nuk duhet të ndodhë më”

Deklarata e dëshmitarit të koduar E-1 pati shkaktuar një mori reagimesh tek opinioni dhe tek pala mbrojtëse dhe pikërisht për këtë shkak, për herë të parë ndoshta në një proces gjyqësor në Maqedoni, E1shi do të merret në pyetje në prani edhe të publikut. Duke marrë parasysh se ai do të paraqitet me fytyrë të mbuluar dhe zë të modifikuar, gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shabani vendosën që të lejojnë që kjo deklaratë të përcillet direkt pasi nuk paraqet kërcënim për zbulimin e identetit të dëshmitarit.

Gjykatësi Ognen Stavrev tha se plani për marrjen në pyetje të dëshmitarit është që një seancë e tërë gjyqësore ti kushtohet pyetjeve nga gjykata, ndërsa seancat tjera prokurorisë dhe avokatëve gjë që flet për seriozitetin dhe peshën e deklaratave të dëshmitarit që thuhet të ketë qenë natën e vrasjes në Smillkovë. Dëshmitari E-1 në deklaratat e tij në procesin e parë gjyqësor pati dhënë disa fakte tejet kundërthënëse. Pati identifikuar të akuzuarit si personat që kanë qenë në vendin e ngjarjes disa ditë më parë dhe ditën e vrasjes, por teksa përshkruante pamjen e tyre fizike vazhdimisht ngatërronte se cili si duket. Kjo ngjalli dyshime të shumta tek pala mbrojtëse e cila pohonte se ai është dëshmitar i rrejshëm, i cili është kurdisur për të mbështetur një rast të montuar. /SHENJA/

Komentet

komentet