Shkupi në rrezik nga vërshimet e mundshme, Vardari mund të godasë godinat përreth

0

Rritja e nivelit të lumejve në vend ka ngritur në këmbë Komitetin Menaxhues për ballafqim me vërshime dhe kriza. Rrezik përbën më shumë lumi Vardar, ku pritet të ndodhin vërshime edhe në pjesën qendrore të Shkupit si pasojë e daljes nga shtrati. Disa institucione tanimë janë të rrezikuara, sidomos ndërtesat e projektit “Shkupi 2014” që u ndërtuan përskaj lumit Vardar.

Në masë të madhe janë rritur rrjedhat e lumejve Vardar, Crna, Treska, Sateska, Radika dhe Pçinja. Vërshime kanë shkaktuar lumejt Vardar, Crna dhe Treska. Në komunën e Jegunovcës në rajonin e Tetovës janë vërshuar hapësira të mëdha bujqësore, në Forinë të Gostivarit janë vërshuar edhe shtëpi dhe hapësira të tjera. Vërshime ka pasur edhe në Strugë, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drini i Zi.